English

“Gjethet e vjeshtës” që shiten për flori

Nga Andi Bushati Një grua me një emër tejet të ngjashëm me ato të personazheve humoristikë të letërsisë së realizmit socialist, u shndërrua papritmas, nga anonime, në një star të mediave qeveritare për dy ditë me radhë. Protagonizmi i saj qesharak, që u rimor gjatë nga tv-të e së martës në mbrëmje dhe gazetat e një mëngjesi më pas, përmblidhej në akuzat për Presidentin e Republikës. Sipas kësaj anëtareje të KLD-së, Bamir Topi, nuk po bënte asgjë për të mbrojtur integritetin e cenuar të gjykatësve të Kolegjit Zgjedhor, madje po i linte ata të mjerë “të binin si gjethet e vjeshtës në furtunën e fyerjeve”. Reagimet patetike të kësaj gruaje mund të kaloheshin me një ironi të lehtë, me të gjithë përçmimin që meriton, çdokush që përdor të gjitha mënyrat, për të siguruar bukën e gojës. Por deklaratat e saj nuk mbetën në erë. Ato u bënë majaja e një fryrjeje të paparë, që kjo ngjarje mori në një pjesë të mediave të Tiranës. Qëllimi ishte i qartë, ata që shërbyen, nuk mund të nëpërkëmbeshin. Ata që morën vendime, për të mos marrë vendime, duheshin mbrojtur, madje duheshin shndërruar në sytë e publikut nga sharlatanë në viktima.

Vetëm kështu mund të shpjegohet tentativa për të rehabilituar publikisht anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Vetëm kështu mund të shpjegohen deklaratat e militantëve të PD-së, në KLD dhe jehona që atyre u bëri media qeveritare.

Teknologjia e përdorur nuk ka në thelb asgjë të re, në mënyrën e komunikimit të kësaj mazhorance. Fillimisht identifikohet problemi. Ai është përdorimi i keq që PD-ja, i bëri pas KQZ-së, anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Këtë tani nuk ka shqiptar me mend në kokë, qoftë ky edhe tifoz i së djathtës, që nuk e ka kuptuar. Por, që ky problem të shuhet, që ai mos bëhet pjesë e debatit publik, duhet shpikur e kundërta e tij. Pra, debati nuk duhet mbajtur më tek integriteti prej “gjethe vjeshte” i gjyqtarëve të Kolegjit, por te mosmbrojtja e tyre. Dhe për këtë duhet gjetur një armik. E kush më mirë sesa Bamir Topi mund ta luajë rolin e këtij armiku imagjinar. Prandaj për ta zhvendosur problemin nga gjyqtarët shoqërisht të përbuzur, te tjetër gjë, i jepet roli asaj gruas me emër humoristik dhe i jepet detyra mediave të qeverisë t’i fryjnë deklaratat e saj.

Edhe këtu nuk kemi ndonjë risi. Edhe kjo është teknologjia e PD-së. Kur ndodh Gërdeci, duhet mbrojtur Fatmir Mehdiu. Kur kërkohet nga drejtësia për një krim Sefgjini, ai duhet mbajtur në detyrë. Kur akuzohet Dritan Prifti, ai duhet mburrur në publik si reformator i madh. Kur vrasin katër të pafajshëm, gardistët duhet trajtuar si heronj. Kur anëtarët e KQZ-së sillen si banditë, ata duhen shpërblyer. Kur gjyqtarët e Kolegjit shndërrohen në sharlatanë, ata duhen promovuar.

Kjo është një traditë e lashtë e politikëbërjes së Berishës. Ai nuk i shet kurrë, ata që mëkatojnë në interes të tij. Ata që i përdor, vërtet nuk i trajton me respekt, por ama u paguan çmimin e këtij mosrespekti.

E këtu tradita e djathtë berishiane është kryekëput e ndryshme nga ajo e së majtës. Edhe të majtët, në pushtet, kishin të njëjtin mosrespekt për institucionet e pavarura. Kishin të njëjtin oreks për t’i përdorur, për ti përçudnuar, apo për t’i telendisur në favor të tyre.

Por, ama, ata kurrë nuk kishin tendencën për ta shndërruar shërbëtorin në vlerë. Për t’ia imponuar shoqërisë si model.

Meqë jemi në momentin e grabitjes së zgjedhjeve me gjykatë, vërtet edhe të majtët e kanë bërë këtë. Madje në përmasa të frikshme në verën e vitit 2001, kur e shndërruan Gjykatën Kushtetuese në një kasaphanë të zhbërjes së mandateve. Por ata të Kushtetueses së atëhershme, kurrë nuk u promovuan si vlera, kurrë nuk u ngrit ndonjë furtunë mediatiko-politike si kjo e shpikura për ruajtjen e dinjitetit të kolegjistëve të sotëm.

Një tjetër shembull është ai i prokurorisë politike të vitit 2008, që donte të dënonte opozitarët duke paraqitur si bomba shfarosëse, shishet e Coca Colës. Ajo qe vërtet një prokurori antiopozitare, por kurrë, kurrë, as Kryeministri i asaj kohe, as njerëzit e tij të afërt, as mediat që i mbështesnin, nuk mbajtën qëndrime pro fletë rrufeve të tyre politike kundër liderit të opozitës. Madje u tallën e qeshën me to.

E këtu pra na shfaqen dy dimensione të qarta. Njëri i së majtës, që nuk ka respekt për pushtetet e tjera, që i përdor ato, por ama nuk i ngre në vlera shërbëtorët dhe përdhunuesit e tyre. Dhe ai berishian, që tenton të glorifikojë kolegjistët dhe këqëzë-istët.

E në të keqen e vet, ky është një hendek i madh mes të dy palëve. Sepse ky model i të djathtës, nuk është i dëmshëm vetëm për ekuilibrin e pushteteve, ai kërcënon modelin e gjithë shoqërisë. Ai tenton të përmbysë hierarkinë e saj të vlerave.

Është pikërisht ky model, që i lë shteg atyre gjyqtarëve të Kolegjit, që pas gjithë proçkës që kanë bërë, të ankohen se ndihen qesharakë e të përqeshur. Është pikërisht ky model, që bën atë gruan me emër humoristik, të flasë me patos përpara kamerave, se e di që sa më shumë absurditete të thotë, aq më mundësi ka që të promovohet. Është pikërisht ky model, që katapulton në krye të drejtësisë, një njeri që qe tepër aktiv në manovrat juridike të pas 8 Majit për ndryshimin e rezultatit dhe që drejtoi komisionin kafkian të “Grushtit të shtetit”. Ky është pra sistemi i promovimit të të përdorurve, që nuk kanë pse ndihen si “gjethe vjeshte”, për sa kohë gjallojnë në mjedisin e tyre.

Gazeta "Mapo"

KOMENTE