English

Kongresmeni i SHBA: Kujdes me regjistrimin e popullsisë

Uashinton, 21 korrik, NOA - Kongresisti amerikan Dana Rohrabacher deklaroi se në Maqedoni është i nevojshëm vëzhgimi nga afër i regjistrimit të popullsisë për shkak të indikacioneve për zvogëlimin e numrit të popullsisë shqiptare.

Kongresisti Rohrabacher këtë e ka bërë të qartë në një takim që ka zhvilluar në zyrën e tij në Uashington me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane të kryesuar nga ish-kongresisti Joe Dioguardi dhe bashkëveprimtarë të tjerë të kësaj organizate lobiste shqiptaro-amerikane.

Sipas tij, regjistrimi i popullsisë duhet të zhvillohet në atë mënyrë duke respektuar rregullat bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe ti mundësohet shqiptarëve përfaqësimi në të gjitha aspektet.

Ai ka ndarë mendimin për mospërmbushjen e detyrimeve të kësaj marrëveshje të paqes,10 vite nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001. Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të mbahet prej 1 deri më 15 tetor të këtij viti, pas anulimit të tij më 1 prill, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Kongresisti amerikan Rohrabacher është informuar edhe lidhur me zhvillimet në Kosovë, Shqipëri dhe regjistrimin e fundit të popullsisë në Mal të Zi, çështjen çame, etj.

Kongresmeni republikan i Kalifornisë Dana Rohrabacher ka bërë të ditur se është i gatshëm që të punojë me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane për shpalosjen e problematikave dhe realiteteve shqiptare në Kongresin Amerikan. Në takimin me kongresistin Rohrabacher kanë marrë pjesë edhe Shirly Cloyes Dioguardi, Zef Balaj, Gjergj Dedvukaj, Fero Gjonbalaj, etj.

NOA/INA

KOMENTE