English

Kuvendi miraton në 14.00 ministrat e rinj të qeverisë

Tiranë, 21 korrik 2011, NOA – Pas dekretimit sot nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, dy ministrat e rinj të qeverisë Berisha, Eduard Halimi dhe Aldo Bumçi, do të miratohen në orën 14.00 në seancën plenare në Kuvend.

Këtë vendim e morën deputetët e mazhorancës në krye të seancës së fundit plenare për sesionin e katërt parlamentar, e cila nisi me vonesë, me sa duket për të pritur dekretimin e ministrave nga Presidenti Topi.

Propozimi për shtyrjen e votimit në orën 14.00 erdhi nga kreu i grupit kuvendor të demokratëve, Astrit Patozi.

Dy emrat e rinj të qeverisë, Eduard Halimi dhe Aldo Bumçi u emëruan dy ditë më parë nga kryeministri Berisha për të plotësuar vendet e mbetura vakant pas zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Kryeministri Sali Berisha firmosi të martën emërimin e Eduart Halimit si ministër i Drejtësisë që pason në këtë post Bujar Nishanin, i dërguar më parë në postin e Ministrit të Brendshëm pas kandidimit të Lulzim Bashës për kreun e bashkisë së Tiranës, dhe Aldo Bumçin si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili pritet të ulet në vendin e mbetur vakant pas kandidimit të ish-ministrit Ferdinand Xhaferraj, në garën për kreun e bashkisë së Durrësit, një garë e humbur nga Xhaferraj.

Seanca plenare e kuvendit vijon tashmë me miratimin e projektligjeve në rendin e ditës si ai i rritjes së pagave minimale, si edhe projektligji i ri për transplantet.

mit/NOA

KOMENTE