English

Mirazhi i integrimit

...Pas njëzet vitesh tranzicioni le të fillojmë t’u tregojmë partnerëve tanë evropianë se ne dimë të bëjmë mirë gjërat që varen nga ne, dhe në këtë kontekst kërkohet të reformohet dhe përqasja jonë drejt integrimit duke u bërë sa më realiste dhe larg imazheve që zakonisht nuk të drejtojnë drejt destinacionit të duhur por krijojnë thjesht mirazhe...

Dorian Koçi

Realiteti ne ditët e sotme në Shqipëri është një imazh. Si i tillë ai është i mbështetur më shumë në perceptime imagjinare sesa në perceptime të vërteta. Ky raport përcakton jo vetëm kufijtë midis reales dhe imagjinares në jetën e përditshme shqiptare por influencon dhe në këndvështrimet e qytetarëve shqiptarë ndaj problematikave të caktuara. Një e tillë p.sh është retorika e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Që nga rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2002 e deri më tash qytetari shqiptar është “bombarduar” mediatikisht nga klasa politike se integrimi i vendit është çështje shumë e afërt. Kurse në të vërtetë , klasa politike është nga të parët që e di më mirë se të gjithë, se vendi nuk ishte i përgatitur as në 2002, as në 2005,2009 dhe për më tepër tani. Kjo mosgatishmëri e vendit, natyrisht nuk ka lidhje me vullnetin e qytetarëve për tu integruar , vullnet i cili në shifra mund të jetë nga më të mëdhenjtë në rajon, por me mungesën e infrastrukturës funksionale të demokracisë. Ndaj dhe Komisioni dhe Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian duke parë këtë mosfunksionim të vërtetë të demokracisë në Shqipëri i kanë vendosur asaj një plan prej 12 pikash për tu plotësuar, plan që në thelb nuk është aspak një mënyrë për të larë duart nga çështja e integrimit të Shqipërisë por përforcimi i disa tipareve të demokracisë liberale, një kusht i domosdoshëm për të plotësuar, po të kemi parasysh këtu rëndësinë që zë respektimi i demokracisë liberale në kriteret e Kopenhagenit.

Mirëpo edhe pse gjërat si duken nuk janë aq dhe rozë përsa i përket integrimit të vendit, klasa politike shqiptare ia ka dalë mbanë të krijojë një entuziazëm në vend që gati, gati është kthyer në një frymë vetëbesimi të qytetarëve se çfarëdo sjellje të demonstrojë klasa politike e vet, Bashkimi Evropian do të rinisë negociatat pasi Shqipëria me të vërtetë plotëson shumë nga kriteret. Këtu me kritere nënkuptohen disa parametra ekonomikë që kanë arritur qytetarët shqiptarë në ekonominë dhe mirëqenien e tyre private krahasuar me miserjen e gjendjes ekonomike të viteve 90’. Por sa i vërtetë është dhe ky perceptim? Për cilindo që merret me studimin e Bashkimit Evropian si organizëm në transformim e sipër e ka të lehtë të kuptoj se shumë nga kriteret ekonomike që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë vend anëtar janë të vështira krahasuar me kapacitet ekonomike që vendi zotëron dhe po zhvillon. Teoritë e integrimit evropian në përgjithësi janë teori evoluimi përsa i përket dhe përmirësimit të standardeve hyrëse në komunitet. Kështu perfomanca ekonomike e Shqipërisë në momentin që do aderojë në komunitet nuk do të matet me ekonominë e vendit më të dobët në të por me një të mesme të përpjesshme të tre vendeve që kanë një zhvillim mesatar. Për shkak se ekonomitë e vendeve të tjera nuk qëndrojnë në vend, por përkundrazi duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian ato janë bërë dhe pjesë e zhvillimit dinamik të ekonomisë evropiane, Shqipërisë i duhet një perfomancë shumë më e mirë ekonomike dhe administrative për ta arritur nivelin e dëshiruar. Pra si shikohet një realitet që s’është aspak i vërtetë, se Shqipëria është shumë afër integrimit të saj të plotë më tepër është një imazh i krijuar nga retorika e integrimit sesa një realitet i prekshëm.

Sigurisht, që vendi i zotëron dhe i ka kapacitet e nevojshme për të ndërmarrë një kurs shumë të mirë zhvillimi krahasuar dhe me vendet që tashmë janë anëtarë apo vendet e tjera që aspirojnë të anëtarësohen ndaj klasës politike shqiptare i është krijuar që në fillim të krijojë habitatin e duhur politik si parakusht për të lulëzuar dhe një mirëqenie ekonomike. Mirëpo , kjo klasë politike ashtu si ia ka dalë mbanë të krijojë imazhin e integrimit ekonomik të Shqipërisë ia ka dalë mbanë të mbjellë në vend dhe një politikë tjetër imazhi përsa i përket nëpunësve që merren me integrimin e Shqipërisë në B.E. Duke qenë nga vendet më të lakmueshme në administratë ato shpesh herë bëhen vende ku strehohen njerëz të paaftë por që i duhen politikës për jetën dhe performancën e përditshme të saj. Ndaj në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera është e vështirë që të dëgjosh mendim kritik dhe debatues nga ana e administratës shtetërore për integrimin e vendit. Këtë rol e kanë uzurpuar OJQ, që në shumicën e rasteve drejtohen dhe nga ish-zyrtarë të dështuar që kanë shfrytëzuar njohjet për të ndërtuar një network përfitimi dhe fondesh nga Bashkimi Evropian. E theksojmë këtë aspekt pasi edhe pse mund të mos bëjë pjesë në 12 pikat emergjente që Bashkimi Evropian i ka kërkuar Shqipërisë të plotësohen kur ndër ta spikat rifillimi i dialogut politik në vend, për rëndësinë që ka menjëherë pas plotësimit të 12 pikave do të jetë një nevojë imediate e Shqipërisë. Politika e punësimit në këto vende kyçe për administratën e shtetit duhet ta braktisë modelin e imazhit të nëpunësit që ka krijuar deri më tash politika, duke konsideruar çdo njeri të porsa diplomuar jashtë vendit dhe zotërues të një gjuhe të huaj si specialistin e duhur për të ndërtuar politikat e duhura integruese në Shqipëri. Në ndërmarrjen e çdo përpjekje të vështirë , njerëzimi në eksperiencën e vet ka treguar se e ka filluar nga gjërat më të lehta, nga ato që varen drejtë për së drejti nga vullneti yt dhe pastaj ka kaluar në bisedime për të realizuar atë që varet nga vullneti i të tjerëve. Atëherë , pas njëzet vitesh tranzicioni le të fillojmë tu tregojmë partnerëve tanë evropianë se ne dimë të bëjmë mirë gjërat që varen nga ne, dhe në këtë kontekst kërkohet të reformohet dhe përqasja jonë drejt integrimit duke u bërë sa më realiste dhe larg imazheve që zakonisht nuk të drejtojnë drejt destinacionit të duhur por krijojnë thjesht mirazhe.

KOMENTE