E enjte, 21 korrik 2011, NOA- Vendi ynë nesër do të karakterizohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike. Moti i kthjellët do të jetë dominues në të gjithë vendin përjashtuar zonat malore veriore të cilat do të kenë shtim të vranësirave të cilat gjatë orëve të mesditës do të gjenerojnë shira të izoluar.
Sipas MeteoAlb, edhe pjesa e dytë e ditës do të mbetet me mot të kthjellët në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa kthjellime dhe vranësira të herë pas-hershme do të ketë në zonat Verilindore – Juglindore të territorit. Në kushtet e stabilitetit të atmosferës do të mbetemi gjatë mbrëmjes deri në mëngjesin pasardhës.
Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në vlerat e mëngjesit ndërsa mesdita do të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave në vend.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 20 km/h dhe drejtim veriperëndimor ndërsa dallgëzimi në det do të jetë i ulët.
Europa
Nesër, Europa Veriperëndimore, Verilindore si edhe Europa Qendrore do të karakterizohen nga vranësira dhe shira me intensitet të lartë gjatë gjithë ditës. Po ashtu vranësira, shira dhe stuhi të forta ere do të ketë në vendet e Balltikut dhe në zonën e Alpeve ku problematike në këto zona do të jenë edhe rënie e ndjeshme e temperaturave për shkak të shirave të cilët do të zgjasin gjatë gjithë ditës. Në kushte të vranësirave dhe shirave do të jetë edhe pellgu i Mesdheut dhe Ballkani verior por në këto rajone nuk do të mungojnë edhe kthjellimet e herë pas-hershme. Ndërsa pjesa tjetër e kontinentit Europian do të karakterizohet nga moti i kthjellët dhe temperaturat e larta.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ballkani Verior rrezikohet nga shira intensive dhe stuhi ere
- Europa Qendrore rrezikon për shira intesive dhe shkarkesa rrufesh
- Vendet e Balltikut alarmojnë për rrebesh shiu dhe temperatura të ulëta
a.y/NOA