LETËR E HAPUR PËR QYTETARËT
Shoqata kulturore atdhetare “Labëria”, në vijim të qëndrimeve të saj të shprehura publikisht në Deklaratën e saj dt. 27 Mars 2011 dhe në kuadër të debatit aktual që po bëhet në mjediset intelektuale dhe tyre të specializuara në fushën e arkitekturës lidhur me vendimin e ri të Parlamentit shqiptar për prishjen e Piramidës dhe ngritjen në vend të saj të Kompleksit të ri parlamentar, ndjehet e detyruar sërish të:
Deklarojë:
1. Shoqata “Labëria” dhe një numër shoqatash të fshatrave e krahinave të Labërisë, në tubimin që do të mbahet sot para Piramisës, radhitet në krahë të Shoqatës së Arkitektëve, Shoqatës së Ruajties së Trashëgimisë Kulturore, të të Drejtave të Njeriut e të shoqatave të tjera apo të atyre intelektualëve që janë kundër prishjes së Piramidës. Piramida, në vendin e të cilës mendohet të ngrihet Kompleksi i ri parlamentar, përbën një objekt të rëndësishëm të trashëgimisë tonë të së kaluarës, në vartësi të këndshikimit, me vlerat dhe antivlerat e saj, por që duhet ruajtur jo vetëm në kujtesë por edhe vizualisht e fizikisht, si pasqyrë e epokës që përfaqëson. Ndaj ne mbështesim fuqimisht idenë e grupeve intelektuale e të specializuara në fushën arkitektonike apo të shoqatave të ndryshme për mosprishjen e Piramidës dhe kthimin të saj në një objekt publik shumëdimensionalëshe.
Si shoqatë pranojmë dhe përshëndesim ndërtimin e objekteve apo edhe të komplekseve të tëra të reja në Tiranë e gjetiu, pa diskutim edhe atë të Kompleksit të ri parlamentar. Por këmbëngulim në idenë që “krijimi i vlerave të reja nuk mund e nuk duhet të bjerë në kundërshtim më vlerat e të kaluarës, aq më tepër t’i shkatërrojë ato”. Jemi një vend që kemi akoma shumë e shumë nevojë për ndërtime të reja para se t’i vijë koha edhe shkatërrimit të ndonjë objekti të së kaluarës që koha e ka lënë pas e që nuk paraqet vlera kulturore arqitektonike.
2. Për të shmangur çdo keqkuptim ritheksojmë se qysh në muajin Mars 2011 ne kemi shprehur dakortësinë me idenë që me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së vendit tonë të ngrihet edhe Kompleksi i ri parlamentar. Por mendojmë se vendimi më i ri i Parlamentit për ndërtimin e këtij kompleksi të ri, ashtu edhe vet projekti, sikurse e kemi vënë në dukje që në muajin Mars, aq më tëpër tani në muajin Korrik, janë tepër të vonuar në kohë, ende pa përllogaritjet financiare të kostos së saj, pa konsulencën minimale të grupeve të caktuara të interesit e posaçërisht shoqatës së Arkitektëve. Për më tepër, si shoqëri civile nuk mund të mos vëmë në dukje se akti i njëanshëm i ndërmarrë nga ligjvënësit e vetëm njërit krah politik shqiptar, veç interesave politike të çastit nuk i shërbejnë madhështisë dhe objektit të kësaj feste jubilare madhore. Kjo festë simbolizon e duhet të simbolizojë, por edhe i ka shërbyer e duhet t’i shërbejë bashkimit, mirëkuptimit e vëllazërimit e jo përçarjes e kundërvënies mes shqiptarëve jo vetëm në shtetin e RSH, por kudo ku ata jetojnë e punojnë. Shoqëria shqiptare, për shkak të qëndrimeve tuaja politizuese ekstremiste, të nderuar politikanë të të gjithë krahëve politikë, është tej mase e politiziuar dhe e ndarë me ngjarjet e ditës. Lejojeni popullin që pretendoni se përfaqësoni, zotërinj politikanë, të kremtojë i bashkuar ngjarjen e shënuar historike që i kanë dhuruar 100 vjet më parë baballarët e vërtetë të kombit shqiptar.
3. Si kontribuues me tatimet e taksat që paguajmë, jemi të interesuar për një shkallë sa më të lartë transparence për harxhimin e fondeve nga buxheti i shtetit edhe për këtë objekt. Sjellim në vëmëndje se objekti i Piramidës, në të shkuarën shumë të afërt, me projektime e riprojektime “specialistësh”, ka gllabëruar fonde pas fondesh, madje të mirëpërcaktuara si limit, por pa asnjë rezultat dhe pa asnjë përgjegjësi. Shpejtësia me të cilën kërkohet të shkatërrohet ky objekt, madje pa përcaktuar fondet për Kompleksin e ri parlamentar si dhe kopertuara që kërkoni ta mbuloni atë zotërinj qeveritarë, na bën të dyshojmë se më shumë se sa të ndërtohet kompleksi, kërkohet të humbasin gjurmët e korrupsionit, pse jo edhe t’i hapet rrugë një korrupsioni të ri, edhe më të madh.
Shoqëria jonë vuan jo nga tepria, por nga mungesa shumë shekullore e objekteve të vijimësisë.
PËR SHOQATËN KULTURORE ATDHETARE “LABËRIA”
Sekretari i Përgjithshëm Xhemil Çeli
Kryetari Prof. Dr. Ago Nezha