Tiranë, 21 korrik 2011, NOA – Vetëm pak minuta para nisjes së seancës përmbyllëse të këtij sesioni parlamentar, Presidenti i Republikës Bamir Topi ka dekretuar emrat e rinj të kabinetit Berisha.
Presidenti Topi dekretoi emërimin e Eduard Halimit si ministër i Drejtësisë dhe emërimin e Aldo Bumçit si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Dy dekretimet e ministrave të rinj u firmosën nga Presidenti në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit Berisha.
Po kështu Presidenti Topi dekretoi sot edhe shkarkimin nga detyra të Ferdinand Xhaferajt si ish-ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit.
Tashmë në seancën e fundit plenare të sesionit të 4-t parlamentar pritet që deputetët e mazhorancës të miratojnë dy emrat e rinj të kabinetit qeveritar, të cilët do të ulen në karriget përkatëse të ministrit të Drejtësisë dhe Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Dy emrat e rinj të kabinetit të qeverisë Berisha, Eduard Halimi dhe Aldo Bumçi u përzgjodhën për të plotësuar vendet e mbetura vakante pas zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Kryeministri Sali Berisha firmosi të martën emërimin e Eduart Halimit si ministër i Drejtësisë që pason në këtë post Bujar Nishanin, i dërguar më parë në postin e Ministrit të Brendshëm pas kandidimit të Lulzim Bashës për kreun e bashkisë së Tiranës, dhe Aldo Bumçin si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili pritet të ulet në vendin e mbetur vakant pas kandidimit të ish-ministrit Ferdinand Xhaferraj, në garën për kreun e bashkisë së Durrësit, një garë e humbur nga Xhaferraj.
mit/NOA