TIRANË, 21 korrik 2011 – Nis zbatimi i projektit për regjistrimin e tokës dhe shenjat rrugore në bregdetin jugor të Shqipërisë. Ky projekt asistence teknike i financuar me 1.5 milion euro nga BE-ja, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, u prezantua sot në Tiranë. Ky projekt në një zonë turistike kyçe të Shqipërisë ka për qëllim të kompletojë regjistrimin e parë të pronës dhe të përditësojë regjistrimin ekzistues për rreth 60,000 prona në zonat bregdetare të vendit nga Palasë Gjoleka në veri deri në Xarrë. Kjo do t'i sigurojë pronarëve tituj të qartë pronësie dhe do të rrisë potencialin për investime atë zonë. Projekti përfshin gjithashtu shenja të reja rrugore të instaluara në Sarandë, Selenicë, dhe Armen, dhe që do të instalohen së shpejti në gjashtë zona të tjera (Golem, Qendër Vlorë, Orikum, Lukovë, Delvinë dhe Dhiver) me një kosto prej 103,000 eurosh.
Duke folur gjatë prezantimit të projektit, Ambasadori Ettore Sequi, Kryetari i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, tha: “Titujt e qartë të pronësisë dhe siguria ligjore përbëjnë kushte paraprake thelbësore për zhvillimin e begatë të vendit dhe për thithjen e investimeve të huaja. Vetëm kur një sistem i tillë të jetë vendosur përfundimisht, atëherë Shqipëria do të mund të kthehet në një terren tërheqës për investitorët e huaj për të krijuar veprime që çojnë drejt gjenerimit të punësimit.”
Kryeministri Berisha ka theksuar se po bëhen përpjekje për finalizimin e këtij regjistri, brenda muajit maj të vitit 2013
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, tha se, projekti do të ndihmojë Qeverinë për të rritur sigurinë e zotërimit, e cila është vendimtare për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare. “Gjithashtu, ai do të sigurojë një bazë për zyrtarët dhe ligjbërësit të formulojnë ligje të përshtatshme, politika dhe procedura për të krijuar tituj pronësie të qartë dhe për të mbrojtur këtë të drejtë”, deklaroi Wollfarth.
Projekti mbledh dhe përpunon të dhënat në lidhje me pronat dhe lehtëson pjesëmarrjen e publikut në një proces transparent, një proces që do i sigurojë institucioneve shtetërore informacione të nevojshme për të përcaktuar me saktësi dhe mbrojtur të drejtat e pronës. Ai i ofron personave fizik dhe juridik mundësinë për të dorëzuar dokumente dhe informacione që tregojnë një te drejtë pronësie dhe të kërkojnë njohje ligjore të kësaj të drejte. Të tëra dokumentet dhe hartat e mbledhura dhe gjeneruar prej këtij projekti do të dërgohen tek Zyra e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme.
Projekti, i cili përfiton fonde shtesë nga qeveritë e Greqisë (100,000 euro), Republika Çeke (50,000 euro) dhe Zvicra (30,000 euro), është programuar të përfundojë në fund të vitit 2011.
a.q/NOA