English

Sa turp kështu, Gramoz!

Nga Armand Teliti

Para disa ditësh, zoti Gramoz Ruçi, numri dy i Partisë Socialiste, në një përsiatje të gjatë në një ekran televiziv, bëri analizën për zgjedhjet e humbura nga partia e tij më 8 maj. Zoti Ruçi përmendi disa arsye pse kryetari i tij kishte humbur zgjedhjet në Tiranë, të gjitha arsye jashtë tyre dhe kryetarit të tyre. Shau e akuzoi KQZ-në dhe Ristanin, shau e akuzoi Tomën, Sashenkën dhe Kolegjin Zgjedhor, shau e akuzoi Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, Ferdinand Ponin dhe Armand Telitin, tha një mal me të pavërteta dhe sajesa.

E gjithë intervista e zotit Ruçi ishte një vajtim i madh në sy të njerëzve, të një plaku të lodhur, që i ndodhur aty për llogari të tjetërkujt, i detyruar të thotë gjëra që as vetë nuk i beson, të shkaktonte mes te tjerave neveri, por edhe keqardhje.

Natyrisht që as zoti Ristani dhe as gjyqtarët e nderuar të Kolegjit Zgjedhor nuk kanë nevojë të mbrohen për një proces që tregoi se institucionet në Shqipëri funksionojnë, madje shumë mirë dhe janë në gjendje të zgjidhin situata të vështira edhe për demokraci shumëvjeçare.

Si drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, do të paraqes një analizë të procesit të listave dhe të kartave të identitetit, pjesë e punës sime të përditshme. Në zbatim të nenit 49 dhe 54 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë (të miratuar nga zoti Ruçi dhe Partia e tij në fund të 2008-s), është detyrë ekskluzive e punonjësve të gjendjes civile nën autoritetin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, të hartojnë listat paraprake dhe përfundimtare të zgjedhësve për çdo qendër votimi. Gjithashtu, ligji “Për gjendjen civile” i miratuar po nga zoti Ruci dhe Partia e tij në maj të vitit 2009, në nenin 33 të tij përcakton se “përditësimi i të dhënave të regjistrit bëhet nga nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile, në zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi bashkiake/komuna”. Zoti Ruçi mjafton të pyeste para emisionit ata që i quan ekspertët e Partisë Socialiste, pasi vetë ndoshta nuk ka durim të lexojë më as ligjet që i ka votuar vetë, për të kuptuar se listat nuk i bën Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, por kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në gjithë vendin, pra edhe kryetarët socialistë të njësive vendore. Në Tiranë ku ngre pretendimet zoti Ruçi, më shumë se gjysma e njësive drejtohej nga socialistët, listat u bënë prej tyre, e megjithatë kryetari i tyre humbi. Listat edhe këtë radhë u bënë si në vitin 2009, po nga ata kryetarë socialiste e demokratë në gjithë Shqipërinë e prapë Partia e zotit Ruçi dhe e kryetarit te tij humbi. As atë radhë dhe as këtë radhë nuk e kanë fajin listat.

Do t’i kujtoj zotit Ruçi që Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, si një produkt i modernizimit të shërbimit të gjendjes civile, është një projekt ndër më të rëndësishmit i realizuar në Shqipëri, me një bashkëpunim të shkëlqyer midis qeverisë Shqiptare, delegacionit të Bashkimit Europian, OSBE-së, qeverise austriake, Institutit të Statistikave të Norvegjisë, USAID-it etj. Do t’i kujtoj zotit Ruçi që raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2009, regjistrimin e shtetasve dhe listat e zgjedhësve i konsideronte një arritje thelbësore në procesin e zgjedhjeve. Do t’i kujtoj gjithashtu zotit Ruçi, që partia e tij bëri një kallëzim penal në vitin 2009 në Prokurori për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Nëse nuk e kanë informuar, mund ta sqaroj që Prokuroria, pas një hetimi të hollësishëm, e pushoi çështjen, pasi nuk gjeti në të asnjë element nga ato që pretendonte Partia e zotit Ruçi.

Listat e vitit 2011 ishin në mënyrë të natyrshme më të mira se ato të vitit 2009, pasi iu nënshtruan një procesi pastrimi nga dublimet dhe nga personat mbi 100 vjeç që figuronin akoma në regjistër, proces i kryer plotësisht nga punonjësit e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, ku drejtojnë kryetarë socialistë e demokratë dhe jo nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Sa për kartat e identitetit, do ta garantoja zotin Ruçi se janë ndër më të mirat e më të sigurtat në Europë.

E ftoj publikisht zotin Ruçi që si listat, si kartat që tund ekraneve, të shkojë t’i depozitojë në Prokurori dhe të lërë organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre. Madje, të shkojë shpejt, sepse dikush tjetër mund ta çojë atë për moskallëzim krimi. Por për një gjë jam i sigurt, zoti Ruçi e di që asgjë nuk ka në lista, e di që nuk ka karta false, por spekulon, spekulon me dashje, sajon dhe gënjen, turp për çdo politikan, burrë e shqiptar.

Do t’i thosha zotit Ruçi që një politikan i përgjegjshëm merret dhe debaton me homologët e vet politikë, pasi mund të përdorin të njëjtat mjete, gjithsesi nuk kam dhe nuk mund të kem asnjë kompleks në përballjen ligjore me të. Betejën politike e kam fituar 20 vjet më parë bashkë me të rinjtë që protestonin në Qytetin Studenti dhe që përmbysën pushtetin komunist, së bashku me ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçin. Me besim të plotë tek drejtësia, shpresoj të fitoj edhe këtë betejë ligjore me të.

Si shqiptar, do t’i thosha zotit Ruçi se është turp të përmendesh gratë e të tjerëve dhe për më tepër të gënjesh e të sajosh duke i përmendur ato. Familja ime, zoti Ruçi, është një familje normale, me të gjitha zakonet e traditat e çdo familjeje shqiptare, ku burri është burrë e gruaja është grua, e ku burri nuk vishet kurrë si grua.

Paç faqen e zezë!

*Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile

Gazeta “Panorama”

KOMENTE
  • Anizel17:56 - 21 Korrik 2011
    .....turpe më të medhaja që keni bërë ju dhe dikasteri që ju drejtoni nuk ka ,,keni ç'kombëtarizuar një komb more i pafytyrë që del dhe thua broçkulla,po dukesh që në surrat që skeni pikë emocioni pasi qeveria ju ka bërë botox trupit tuaj...
  • sotir Labi14:42 - 21 Korrik 2011
    Nuk je as me shume e as me pak,por nje kulish i saliut.Gramozi mund te kete gjynahet e tija,por ti nuk shfajesohesh vetem se reciton vjershen qe ka shkruar sali banditi. Nga zyrat tuaja jane kethyer me mijera nga Artan ne Jani,dhe nga Sali ne Sokrat,dhe shume ore shume punonjes te gjendjes civile jane bere tani me para vetem nga fallsifikimet qe kane bere,TURP PER JU.Gjithcka mund ta pranoje,por qe te me thuash ti qe fuksionon ne menyre demokratike ky shtet,me nje qeveri qe vjedh,vret dhe mashtron pa pike turpi,vershtire se do ta pranoje,dhe sidomos kur thua qe u bene zgjedhje te ndereshme. Yyyyy lamash,qe te bardhes ithua te zeze,se me reshtimin tend ne krah te banditit dhe diktatorit sali,po merni ne qafe nje popull,nje komb. Poshte gjithe felliqesirat qe mbeshtesin diktatorin e Shqiperise. KRIMB.