English

Serbia, si një rast i veçantë për BE

Nga "The Guardian"

Arrestimi i Goran Haxhiqit – të dyshuarit të fundit për krime lufte nga Tribunali i Hagës – është një triumf personal për presidentin Boris Tadiq, i cili i është dedikuar “rehabilitimit moral” të Serbisë.

Por, nuk do të ishte e drejtë të mendohej se ky arrestim, që ndoqi kapjen e gjeneralit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, do të shpërblehet me fytyrë të buzëqeshur ndaj ofertës së Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pengesa të konsiderueshme mbeten.

Tadiqi është në kërkim të progresit të shpejtë. Nga këndvështrimi i Beogradit, Bashkimi Evropian nuk mund të bëjë tjetër, pos të pranojë Serbinë si kandidate për anëtarësim në samitin e dhjetorit.

Por, Tadiq kërkon më shumë. Ai po bën presion për një datë të saktë të fillimit të bisedimeve. Bashkimi Evropian gjithmonë i ka lidhur perspektivat e anëtarësimit me bashkëpunimin e plotë të Serbisë me Hagën. Andaj, Tadiqi, me arsye, i kërkon llogari Brukselit.

“Lodhja nga zgjerimi” - është një frazë tejet e përdorur. Ajo tregon përse liderët e BE-së – të rrethuar nga kriza e borxhit të shteteve, papunësia dhe armiqësia publike ndaj emigracionit – ngurrojnë të zgjerojnë bllokun 27-anëtarësh. Tani, klauzola e Evropës për Hagën nuk zbatohet më.

Me gjithë Mlladiqin dhe Karaxhiqin të sigurt prapa hekurave, Holanda – e poshtëruar në Srebrenicë – dhe disa vende të tjera të Bashkimit Evropian kanë refuzuar të ratifikojnë marrëveshjen paraprake të stabilizim-asociimit ndërmjet Beogradit dhe BE-së.

Tani, do t’i lënë mënjanë objektivat e tyre? Shenjat e parë nuk janë premtues. Ndonëse Holanda e ka vlerësuar si “hap të mirë” kapjen e Haxhiqit, ajo e kujton vazhdimisht Serbinë për problemet e korrupsionit.

Turqit, aplikimi i të cilëve në BE është vonuar pafundësisht, shprehen skeptikë. Kolumnistja e “Sunday’s Zaman”, Amanda Paul, thotë se Tadiq e ka shndërruar Serbinë në “një vend në lëvizje”, duke realizuar me sukses reformat për të përmbushur kriteret e BE-së dhe “duke pastruar mjedisin e biznesit” për të tërhequr investimet e huaja.

“BE-ja duhet të luajë drejt me Serbinë. Tadiqi ka thënë se BE-ja duhet ta mbajë fjalën e saj. Por, bazuar në përvojën e Turqisë, ai mund të zhgënjehet”, thotë zonja Paul.

Kjo e fundit pajtohet me ata që thonë se integrimi i Serbisë do të ndihmojë në shkrirjen e konflikteve të ngrira, që kanë penguar rajonin të ecë përpara.

“Bashkimi i Evropës nuk mund të përfundojë derisa vendet e Ballkanit perëndimor të stagnojnë në mozaik”, thotë ajo.

“Një pjesë e rëndësishme e këtij mozaiku është Kosovanjë tjetër bllokadë, marrë parasysh refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për ta njohur pavarësinë e saj dhe këmbënguljen e shumicës së shteteve të BE-së për ta bërë një hap të tillë. Në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian është bërë përpjekje për të ngritur ura, por deri më tash me pak sukses”, shton Paul.

Ambasadori i Serbisë në Britaninë e Madhe, Dejan Popoviq, thotë se me arrestimin e Haxhiqit, Serbia ka kryer obligimet e saj morale dhe ligjore për procesin e Hagës, porse kjo nuk ishte konsiderata e vetme.

“Ne presim që Komisioni Evropian do t’i vlerësojë reformat thelbësore që kemi kryer, duke rënë dakord për kandidaturën tonë dhe për fiksimin e një date për caktimin e negociatave për anëtarësim. Ky do të ishte një sinjal i rëndësishëm jo vetëm për ne, por për gjithë Ballkanin perëndimor”, thotë Popoviq.

Ballkani perëndimor është një punë e pakryer e Evropës. Në samitin e Selanikut, më 2003, BE-ja deklaroi: E ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian.

Rasti për veprime të guximshme dhe vendimtare të BE-së, për të vënë mish mbi eshtra dhe për të përshpejtuar kandidaturën e Serbisë, është tepër i madh. Problemi është se BE-ja nuk merr “vendime të guximshme” këto ditë, përderisa Greqia dhe të tjerët dinë për koston e tyre.

KOMENTE