English

Tre vjet pavarësi dhe 3 vjet privatizim

Kosova i ka më shumë se tri vjet pavarësi, mirëpo ajo i ka tri herë më shumë se kaq privatizim. Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë debat përmbajtësor politik për ekonominë në përgjithësi dhe posaçërisht për procesin e deritanishëm të privatizimit, e mandej t’i shqyrtojmë edhe hollësitë e projektligjit për AKP-në që e kemi para nesh

Nga Albin Kurti

Diskutimi në Kuvendin e Kosovës për projektligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) ndërkohë që nuk bëjmë diskutim dhe vlerësim për vetë procesin e privatizimit, nuk paraqet zgjidhje të drejtë dhe as mënyrë të duhur. Nuk mund t’i ndryshojmë për të mirë marrëdhëniet socio-ekonomike, nuk mund të shpresojmë në situatë të re socio-ekonomike, thjesht, duke diskutuar vetëm për ligje të reja e duke aprovuar ligje të reja. Ligjet janë shprehje e marrëdhënieve dhe gjendjes ekzistuese të cilat ndryshohen duke i ndryshuar vetë ato e jo vetëm ligjet për to. Mbase, nuk është e rastësishme që në Kosovë kemi kaq shumë ligje që nuk zbatohen. Trajtimi i projektligjit për AKP-në, pa e trajtuar fare privatizimin që paraqet arsyen pse ekziston AKP-ja, nuk është një punë e arsyeshme. Sepse, të merresh me pasojën pa e konsideruar fare shkakun do të thotë ta mirëmbash problemin.

Kosova i ka më shumë se tri vjet pavarësi, mirëpo ajo i ka tri herë më shumë se kaq privatizim. Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë debat përmbajtësor politik për ekonominë në përgjithësi dhe posaçërisht për procesin e deritanishëm të privatizimit, e mandej t’i shqyrtojmë edhe hollësitë e projektligjit për AKP-në që e kemi para nesh. Pra, në Kuvendin e Kosovës po mungon një diskutim paraprak për privatizimin, për origjinën, ecurinë, dështimet e sukseset, shembujt dhe rastet e ndërmarrjeve të veçanta dhe për atë se si mendojnë deputetët si përfaqësues të qytetarëve se duhet vazhduar më tutje. Një diskutim i tillë është edhe më i nevojshëm kur dihet se ka qenë i mangët edhe në mandatet e mëhershme të Kuvendit, por edhe debati publik ka qenë i paktë. Për asnjë temë në Kosovë nuk ka shpërputhje midis rëndësisë së temës dhe rëndësisë që i është dhënë temës sikurse në rastin e privatizimit.

Dihet që privatizimi në Kosovë nuk ka qenë i drejtuar vetëm te ndërmarrjet joefiçiente, por njëherë te të gjitha ndërmarrjet shoqërore e tash edhe tek ato publike. Prandaj, e gjithë strategjia e privatizimit realisht ishte kronostrategji: shumë më tepër flitej se kur do të bëhet privatizimi, njoftohej se në cilën valë të privatizimit ndodhej filan ndërmarrja dhe jo aq se çka do të privatizohej e si do të privatizohej. Pyetjet ÇKA dhe SI nuk bëheshin sepse, para se gjithash, nuk bëhej pyetja PSE.

Fuqia e lirë punëtore, mungesa e shqetësimeve për ambientin, sigurinë në punë dhe kujdesin shëndetësor, u konsideruan paturpësisht si përparësi e jona duke besuar se kjo na bënte më joshës për investimet nga jashtë. Privatizimi i këtillë nuk e shndërroi pronën në kapital, por ndodhi e kundërta: kapitali u shndërrua në pronë. Privatizimi nuk e dinamizoi ekonominë, por më parë e ngujoi dhe e rrënoi atë. Privatizimi, po ashtu, nuk e solli as liberalizimin e vërtetë sepse monopolet publike vetëm sa u bënë monopole private.

Pasi i rreckosën mirë e mirë fabrikat, privatizimi i transformoi ato në qendra tregtare dhe kështu hymë në fazën, të cilën do të mund ta quanim, periudhë e kapitalistëve pa kapitalizëm – pra, një emër tjetër ky për feudalët. Një pjesë e madhe e prodhimit edhe ashtu të vogël në Kosovë nuk u bë për tregun (siç e thotë kapitalizmi), por për vetveten (siç ndodh te feudalizmi). U propagandua për nevojën e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, që nuk mund të zhvillojnë sindikata të fuqishme, që nuk kanë kurrfarë shanse në garë me korporatat, dhe që s’do të merren me mineralet dhe energjinë, pra, me pasuritë e mëdha të Kosovës, të cilat gjithashtu mendohet të shiten në vitet në vijim. Kosova u fut në garë me shtetet e rajonit e shtetet e tjera, për të mbetur tërësisht e shfrytëzuar si më e dobët që është. Shteti i dobët dhe i hapur i Kosovës nuk i bëri ballë asnjëherë asnjë korporate të huaj. Dhe, sërish, duke e pasur shtetin e dobët dhe të hapur ndaj korporatave që erdhën në Kosovë, përfitimi ishte vetëm i njëanshëm: përfituan korporatat e llojit që nuk brengosen për reputacionin e tyre dhe nuk përfitoi Kosova (nëse, kur themi Kosova, i përjashtojmë një dyzinë politikanësh të qeverive të pasluftës).

Meqenëse popullit të Kosovës nuk iu pranua e drejta për vetëvendosje madje as pas shpalljes së pavarësisë, për pasojë, nuk ndodhi dekolonizimi para privatizimit. Ndërmarrjet shoqërore deri në vitin 1989, kur u suprimua autonomia e Kosovës, ishin prona të qytetarëve të Kosovës, të shoqërisë kosovare. Mirëpo, përgjatë viteve të ’90-ta regjimi i Milosheviqit i shndërroi këto ndërmarrje të Kosovës në degë të ndërmarrjeve të ndryshme të Serbisë dhe ua nënshtroi ato një privatizimi të pjesshëm nga i cili përfituan ndërmarrësit privatë nga Serbia, që i kontrollonte vetë regjimi, si dhe kompani të huaja, kryesisht greke e italiane. Në mungesë të vetëvendosjes, në thelb të së cilës ndodhet dekolonizimi që përfshin edhe korrigjimin e tjetërsimit të pronës dhe resurseve natyrore të vendasve, sot e kësaj dite fondi i privatizimit me mbi gjysëm miliardi euro mbahet i bllokuar jashtë Kosovës, me ç’rast edhe Serbia e kreditorët e jashtëm kërkojnë hise aty. Sikur të ishte bërë dekolonizimi, nuk do të bëhej fjalë që borxhet e ndërmarrjeve të Kosovës gjatë viteve të ’90-ta t’i paguajë Kosova, por Serbia dhe vetëm ajo (si okupatore dhe shfrytëzuese që ishte). Tash, në bazë të këtij projektligji për AKP-në, me përcaktimin e Autoritetit të Likuidimit, po kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që ta inaugurojë një Princ për Ekonominë e Kosovës që do të ketë së tepërmi pushtet e tepër pak llogaridhënie. Mund të apelosh në Dhomën e Veçantë të cilën gjuha e formulimit e vendos nën Autoritetin e Likuidimit, ndërkaq te apelimi ndaj Dhomës së Veçantë, si instancë përfundimtare, janë ndërkombëtarët: nga pesë anëtarë gjithsej, tre janë ndërkombëtarë. Rolin e PSSP-së, pra shefit të UNMIK-ut, tash e luan Bordi i AKP-së dhe në vend të AKM-së kemi AKP-në. Kanë ndryshuar akronimet por jo edhe politikat. Ashtu qysh PSSP-ja dirigjonte me AKM-në, tani Bordi, jo Kuvendi i Kosovës, do të dirigjojë me Autoritetin Likuidues. Pra, Bordi dhe jo Kuvendi i Kosovës do ta kontrollojnë këtë Autoritetin e Likuidimit. Sot, prej neve, Qeveria po kërkon që ta legjitimojmë mënyrën e këtillë, pra mënyrën që realisht e shfuqizon Kuvendin. Qeveria e Kosovës, qartazi, nuk dëshiron që Autoriteti i Likuidimit të zgjedhet nga Kuvendi.

Privatizimi në Kosovë nuk e ka bërë kalimin në kapitalizëm, por në një lloj të veçantë të kapitalizmit: në neoliberalizëm. Në vitin 1999, në emër të abstragimit të mundësive tjera jashtë kapitalizimit është bërë abstragimi i mundësive tjera brenda kapitalizmit (përveç kapitalizimit neoliberal). Prandaj, Kosova nuk u shndërrua në një shtet-komb, që do të ishte tipik për kapitalizmin e epokës moderne, pra, industrializmin, por u kthye në feudalizëm me dallimin që as bujqësi me tamam s’kemi. Teknologjia informative dhe komunikuese në formën e laptop-ëve dhe celularëve pati efekt maskues: kosovarëve u dukej se janë në hap me botën, porse marrëdhëniet ekonomike, shoqërore dhe politike vazhdojnë t’i ngjajnë shumë më tepër feudalizmit. Aq shumë gjëra e dëshmojnë feudalizmin te ne: nuk kemi industri, lulëzon nepotizmi, është zvogëluar shkrim-leximi dhe është rritur analfabetizmi, ka gjithnjë e më pak para kesh dhe është shtuar këmbimi mall me mall, buxheti grumbullohet në kufi të vendit që nuk kontrollohet i tëri, etnia (si eufemizëm për fisin nga periudha e kolonializmit) është bërë cilësia kategorizuese dhe jo kombi, kryeqyteti Prishtina është rritur jo si pasojë e industrializmit, por e burokratizimit me zyra qeveritare, administrative dhe aso të perandorive, kemi më pak ujë dhe drita në sistemin furnizues publik dhe më shumë puse dhe gjeneratorë privatë, kultura nuk përdoret për ta përkufizuar njësinë politike por për ta mirëmbajtur ndarjen hierarkike qytetar-fshatar, zbatohet decentralizimi etnik që e shkatërron unitetin shtetëror, gjallëron lokalizmi krahinor i partive politike me liderë prej bajraktarësh, rrotull tyre sillen biznesmenë feudalë që janë bërë pronarë tokash afër magjistraleve, aeroportit apo aty ku do të jenë minierat e ardhshme, dhe mbi të gjithë këta kemi mbretin formal dhe mbretin joformal, Pieter Feithin dhe Christopher Dellin. Sepse, neoliberalizimi nuk e do kapitalizmin e llojit menaxherial ku do të vinte në shprehje kolektivja, mirëqenia, punësimi dhe barazia që i referohet meritave a nevojave. Pra, Qeveria e Kosovës dhe AKP-ja që e zbatojnë doktrinën e neoliberalizmit, asnjëherë nuk e duan një kapitalizëm që, pikësëpari, i shërben ekonomisë kombëtare siç e kemi pasur rastin p.sh. me Slloveninë. Në vend të kësaj, qysh prej fillimit, kishim instalimin e kapitalizmit neoliberal ku theksohej individualizmi si parim e si qëllim, zgjedhja e individit (që u bë zgjedhje jopolitike: njerëzit zgjedhin veçse pastën e dhëmbëve, destinacionet turistike nëse kanë para ose kanalet televizive nëse kanë energji elektrike), liria e individëve që u bë liri e tregut dhe jo e njerëzve, barazia për individëd (si barazi e mundësive që realisht është e pamundur duke pasur start të ndryshëm), pasi e gjithë kjo në kuadër të ekspozimit flagrant të ekonomisë kombëtare ndaj konkurrencës ndërkombëtare gjë që, në rastin e Kosovës, as nuk e la të lindte ekonominë e vendit.

Përfundimisht, Kuvendi i Kosovës do të faktorizohet dhe do të përfaqësojë përnjëmend qytetarët në masën në të cilën flasim e diskutojmë për konceptet politike para se të flasim për hollësitë teknike.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, ju bëj thirrje që të mos e votoni këtë ligj i cili e vazhdon punën e UNMIK-ut, pa kurrfarë vështrimi kritik mbi të kaluarën. UNMIK-u krijoi ndërmarrje të reja nga asetet e ndërmarrjeve, i shiti ato dhe kësisoj mbetën vetëm guaskat e ndërmarrjeve që tash, me këtë ligj për ristrukturimin e AKP-së, i thyen Autoriteti i Likuidimit kurse çmimin e paguan Fondi i Privatizimit.

* Fjalimi i mbajtur në seancën e Kuvendit të Kosovës me 21 korrik 2011 lidhur me Projekt-Ligjin për Agjencionin Kosovar të Privatizimit

KOMENTE