English

Vetëvendosje: Trashëgimia kulturore në Kosovë, trajtohet me dashakeqësi si Serbe

Prishtinë, 21 korrik 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet deputetit të saj Liburn Aliu në fjalën e tij në parlament tha se, nga fundi i muajit qershor të këtij viti në Paris, Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i UNESCO-s mbajti mbledhjen e rregullt vjetore, mbledhje në të cilën trajtohet trashëgimia kulturore botërore.

Sipas tij, ajo që e bën tejet me interes për Kosovën është fakti që viteve të fundit me iniciativë të SHBA-ve dhe këtë vit me iniciativë të delegacionit të shtetit francez, u propozua riemërimi i katër monumenteve ortodokse të Kosovës nga emri aktual serbe në të Kosovës.

“Trashëgimia kulturore ortodokse në Kosovë sot trajtohet gabimisht dhe me dashakeqësi si serbe. Ky trajtim nacionalist i monumenteve të ndërtuara para se të ekzistojë kombi serb, i ka hapur gjithmonë rrugën shovinizmit serb karshi shqiptarëve, pasi ishte argumenti i vetëm që Serbia ka përdorur në arsyetimin e pushtimit të Kosovës dhe krimeve të kryera në Kosovë’, u shpreh Aliu.

Më tej ai tha se trajtimi i tillë nacionalist i monumenteve fetare edhe sot vazhdon t’i hap rrugën urrejtjes në baza etnike e fetare dhe është mjaft i rrezikshëm dhe këto monumente në vend të ndërtesave të shërbimit fetar i shndërron në burim të ndarjeve dhe urrejtjes edhe përkundër që historikisht u ruajtën dhe u respektuan si objekte të besimit.

Ndër të tjera deputeti i Vetëvendosjes shtoi se pasojat e kësaj politike, janë të qarta pasi pranë qytetit të Prishtinës është një zonë të tillë të mbrojtur.

“Zonën e Gazimestanit, dhe monumentin e ndërtuar në vitet ’50 e që trajtohet si trashëgimi Nacionale serbe e që lidhet me betejën e Kosovës që ndodhi në vitin 1389. Trajtimi nacionalist i kësaj beteje ku morën pjesë popujt e Ballkanit, ishte ndër argumentet kryesore të politikës pushtuese serbe që nga viti 1912. Këtu te ky monument filloi lançimi i politikës shoviniste serbe të viteve ’90, të udhëhequr nga krimineli Milosheviç. E edhe sot ky monument vazhdon të trajtohet i tillë, njëjtë pra në të gjitha kohët. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse inkurajim i ndarjeve, urrejtjes dhe i jostabilitetit në të ardhmen. Tanimë po kemi incidente çdo vit. Tolerimi i politikës së bazuar në historinë e politizuar më nacionalizëm e bën këtë”, u shpreh Aliu.

Në këtë linjë ai kërkoi në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që Kryetari i Parlamentit ti shkruajë letër Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore dhe të kërkojë nga ky këshill, që të grumbullojë dhe sistemojë fakte dhe të informojë shtetet përkatëse me synim të ndalimit të trajtimit nacionalist të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

a.y/NOA

KOMENTE