English

Veton Surroi përflitet si kandidat i LDK për president të Kosovës

Prishtinë, 21 korrik 2011, NOA – Veton Surroi përflitet të jetë kandidati potencial i Lidhjes Demokratike për të fituar zgjedhjet presidenciale në Kosovë që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Anëtarë kyç të LDK-së, partia e dytë më e madhe në Kosovë vlerësojnë se Veton Surroi mund t’ua sigurojë fitoren në këto zgjedhje.

Burimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës e konfirmuan këtë për Prishtina Insight.

Ata bënë me dije se janë duke vlerësuar nëse duhet të kandidojnë për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm një nga intelektualët më të respektuar të vendit.

Publicisti Surroi nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me këtë plan dhe nuk u është përgjigjur pyetjeve të Prishtina Insight sa u përket këtyre pretendimeve.

Veton Surroi u tërhoq nga politika në vitin 2007, pasi “Ora”, partia e tij politike, nuk arriti ta kalojë pragun prej 5 % në zgjedhjet e përgjithshme dhe rrjedhimisht nuk arriti të hyjë në parlament, thotë gazeta Zëri.

Disa figura të rëndësishme të LDK-së janë të bindura se Surroin do të mund ta joshin që të hyjë prapë në politikë.

Ai i ka akuzuar partitë e mëdha politike për vjedhje dhe manipulim të votave dhe për largimin e Orës nga parlamenti pak para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Të tjerët fajin për dështimin e partisë së tij e kanë gjetur në imazhin e Surroit si elitist dhe i përqendruar vetëm në Prishtinë, thotë më tej Koha Ditore.

Veton Surroi mbetet figurë popullore në Kosovë.

Ai është aktiv në debate publike dhe i favorizuar nga trupi diplomatik i akredituar në Prishtinë.

Zgjedhjet presidenciale paraqesin një ndryshim të theksuar të peisazhit politik në Kosovë, ngase presidenti do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta në referendum popullor.

Deri më tani, presidenti është zgjedhur nga parlamenti dhe është konsideruar kryesisht post ceremonial, shkruan gazeta Koha Ditore.

KD/NOA

KOMENTE