English

Zgjidhen kandidatët e BDI për zëvendësministra

Shkup, 21 korrik 2011, NOA- Qeveria e re Maqedonase tashmë ka përcaktuar edhe emrat e zëvendësministrave të BDI-së.

Siç raporton agjencia e lajmeve INA, në mbledhjen e zhvilluar mbrëmë nga kjo parti janë caktuar katër zëvendësministrat në Qeverinë e re të koalicionit.

BDI në Qeverinë e re do të ketë pesë ministri, dy zëvendëskryeministra, katër zëvendësministra dhe katër sekretarë shtetëror.

Ndërkaq sipas marrëveshjes për ndarjen e këtyre posteve, zëvendësministër për Punët e Brendshme është caktuar Xhelal Bajrami, i cili deri tani ka ushtruar postin e ministrit të Punës dhe Politikës Sociale.

Në postin e zëvendësministrit për Transport dhe Lidhje është caktuar Tahir Hani, ish-shefi i grupit parlamentar të BDI-së.

Në postin e zëvendësministrit për Arsim është caktuar Safet Neziri, deputet i deritanishëm i BDI-së.

Në postin e zëvendësministrit për Financa akoma nuk ka asnjë kandidaturë dhe se pritet caktimi i tij drejtpërdrejt nga lideri Ali Ahmeti.

Pritet që zëvendësministrat të zgjidhen në seancën e caktuar më 29 korrik, menjëherë pas zgjedhjes së kabinetit qeveritar në seancën parlamentare të caktuar për 27 korrik.

a.y/NOA

KOMENTE