Prishtinë, 22 Korrik 2011 NOA – Një apel iu drejtua sot Qeverisë së Kosovës, duke lëshuar alarmin se po punohet në drejtim të mosrespektimit të masave të reciprocitetit me Serbinë të cilat i ka miratuar Qeveria e Kosovës.
“Lusim Qeverinë e Republikës së Kosovës që tani pas aplikimit të masës së reciprocitetit me Serbinë të mos lejoj që mallrat serbe të hyjnë në Kosovë përmes Maqedonisë apo Malit të Zi”, - thotë në një prononcim për agjencinë NOA, Bekim Xhafa, Drejtor i Bordit të OEDSH - Oda Ekonomike e Trojeve dhe Diasporës Shqiptare.
Sipas tij, “është duke u përgatitur skenari i tillë nga Oda Ekonomike e Serbisë në bashkëpunim me disa biznese të papërgjegjshme nga Kosova dhe nga Maqedonia që produktet serbe të vazhdojnë lirshëm të hyjnë në Kosovë, të kamufluara si produkte me origjinë nga vendet tjera”.
Në këtë pikë, OEDSH vlerëson se duhet respektuar patjetër ky reciprocitet, “në të kundërtën askush në BE dhe SHBA nuk do t’ju marrë për partnerë serioz, madje as edhe votuesi i juaj”.
OEDSH kërkon nga qeveria që ajo të vendosë “bllokadën për çdo mall me origjine serbe pavarësisht se nga do të tentojnë të hyjnë në Republikën e Kosovës”.
Oda/Dhoma Ekonomike e Diasporës dhe Trojeve Shqiptare është organizatë jo qeveritare (OJQ) dhe apolitike e krijuar për t?ju shërbyer të gjithë shqiptarëve në tërë globin.
Ajo luan një rol aktiv dhe të shëndoshë në asistimin e bizneseve shqiptare që pretendojnë të shtrihen në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Luginën e Preshevës, Malin e Zi, Çamëri dhe anasjelltas, gjithashtu të krijojë lidhje edhe ndërmjet bizneseve shqiptare në diasporë me njëri tjetrin.
Në misionin e saj OEDSH ka në prioritet përkrahjen e të gjithë individëve në arritjen e ambicieve të tyre, në veçanti studentëve në ndërtimin e karrierës së tyre drejt majave të suksesit. Gjithashtu misioni ynë është publikimi i të arriturave të të gjithë Shqiptarëve në nivel botëror të cilët kanë thyer të gjithë kufijtë e suksesit, si dhe të ndihmoi promovimin e talenteve të rinj që të mos kenë kufij në arrije të suksesit.
a.b/NOA