Nga Armando Subashi
Në emër të Partisë Socialiste dua të bëj prezent faktin që ne kemi depozituar në prokurori dy kallëzime shtesë lidhur me veprimtarinë dhe hetimin që po kryen prokuroria mbi bazën e kallëzimeve që ne kemi depozituar përpara datës 8 maj.
Kallëzimi i parë ka të bëjë me problemin, aq shumë të ditur dhe të përfolur, që është problemi i listave të zgjedhësve. Është shumë e qartë që me daljen e listës paraprake nga verifikimi dhe kontrolli që ne i bëmë asaj liste konstatuam një sërë mangësish dhe të metash që ajo kishte. Shpresonim shumë që me daljen e listës përfundimtare të gjitha ato mangësi do të rregulloheshin dhe do të riparoheshin, por për fat të keq edhe lista përfundimtare i pasqyroi të gjitha problemet që kishte lista paraprake. Nga gjithë përpunimi që ne i bëmë listës përfundimtare të zgjedhësve rezultoi që, së pari në të gjithë Shqipërinë kishte rreth 21 mijë dublime të pastra dhe të fshehta. Nga këto rreth 5300 prej tyre rezultojnë të jenë vetëm në Bashkinë e Tiranës. Për të qenë pak më konkret në shifra, rreth 1096 janë dublime të pastra, ç’ka do të thotë që në dy qendra votimi brenda Bashkisë së Tiranës figuron si votues i njëjti person. Në një nga fletët e materialeve që ne ju kemi shpërndarë për t’ju demonstruar më qartë, keni disa nga të ashtuquajturat dublime të pastra, nga lista e gjatë që unë ju pasqyrova. Të cilat tregojnë më së miri se persona të caktuar, ose më saktë të njëjtët persona figurojnë si votues në Tiranë në dy qendra votimi. Pra ky ishte një detyrim ligjor absolutisht i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, për të bërë pastrimin e listës nga këto dublime dhe për fat të keq kjo nuk u bë dhe lista përfundimtare është një listë e shoqëruar me të tilla probleme.
Së dyti, përveç këtyre të ashtuquajturave dublime të pastra, në listë ka dhe mjaft dublime të fshehta të cilat në pamje të parë nuk mund të kapen dot, por nga një kontroll me mënyra të caktuara informatike ne kemi mundur që ti zbulojmë ato. Ka mjaft dublime të tilla ku persona të caktuar kanë ndryshuar vetëm një element të identitetit të tyre. Ju e dini që lista e zgjedhësve ka katër element, emër, mbiemër, atësia dhe datëlindja. Mjafton që vetëm njëri prej këtyre elementëve të ndryshojë dhe kjo në pamje të parë e bën të pazbulueshme kapjen e dublimit, por në fakt të gjitha këto ekzistojnë në listë dhe gjithë pjesa tjetër e dublimeve pra janë të ashtuquajtura dublime të fshehta. Sigurisht pjesën dërrmuese të tyre e zë Bashkia e Tiranës. Të gjitha këto dublime në lista kanë qenë një mundësi potenciale që persona të caktuar të kenë votuar në dy qendra votimi. Nga të gjitha informacionet që ne kemi marrë pas datës 8 maj edhe nga raportimet e komisionerëve tanë tashmë na rezulton që shumë nga këta persona kanë mundur që të votojnë në të dy qendrat e votimit ku ata kanë figuruar në listën përfundimtare.
Një moment tjetër që ne kemi trajtuar në kallëzimin tonë është edhe një fakt në fakt shumë skandaloz i cili është një vrime e zezë do thoja unë në gjithë regjistrin kombëtar të gjendjes civile që meriton një vëmendje të veçantë nga prokuroria shqiptare. Bëhet fjalë për krijimin e personave të rremë, ose akoma më shumë për krijimin e familjeve të rreme. Në listë ka familje të tëra të cilat në realitet nuk ekzistojnë, por në listën e zgjedhësve gjenden me shumicë. Ju keni përpara në dokumentet që ju kemi servirur një fletë nga gjithë ai material i madh që ne disponojmë lidhur me këtë problem dhe unë për arsye etike në fakt nuk do doja ta përmendja këtë familje, por po të shikoni ilustrimet që ju kemi vënë përpara rezulton që një familje e vërtetë e përbërë prej 4 persona pra dy bashkëshortët dhe dy fëmijët, e cila realisht ka qenë e regjistruar në vendbanimin e vet origjinal, kur ka ardhur dhe është regjistruar në Tiranë, më saktë në Paskuqan, kjo familje nga 4 është bërë me 8 persona. Pra përveç 4 personave që janë real janë shtuar edhe 4 persona të tjerë fiktivë. Po të shikoni tabelën që keni aty në ri regjistrimin fiktiv që është bërë kanë ndryshuar datëlindjet e të gjithë këtyre personave sepse me këto datëlindje që janë këta persona, pra realisht ‘63 e ‘67 ndoshta do ishte e pamundur që të kishin brenda 6 fëmijë, por duke i rritur moshën kjo të lejon të shtosh edhe 4 fëmijë të tjerë, përveç 2 fëmijëve që ata kanë. Këto janë raste që vlejnë të eksplorohen edhe nga media. Ne kemi të dhëna të plota shumë të sakta në këtë pikë dhe kemi besim të plotë që prokuroria shqiptare do zbardhë të gjithë këtë skandal të madh që ka ndodhur me listat e zgjedhësve, por që sigurisht ne besojmë që një pjesë e tyre në fakt nuk janë pasqyrim real i asaj që pasqyron sistemi elektronik i regjistrit kombëtar të gjendjes civile.
Një moment tjetër që ne e kemi trajtuar në kallëzimin tonë drejtuar prokurorisë është edhe votimi i emigrantëve. Ne disponojmë lista të sakta të emigrantëve sidomos në Bashkinë e Tiranës, të cilët nuk kanë qenë prezent në ditën e votimit por nga të gjitha raportimet e komisionerëve tanë rezulton që një pjesë e tyre të kenë votuar. Besoj është e qartë dhe e kuptueshme sesi mund të kenë votuar këta emigrantë të cilët nuk kanë qenë atë ditë në Shqipëri. Pra është shumë e qartë që persona të tjerë, persona të caktuar, kundrejt një dokumenti identifikimi të caktuar janë paraqitur dhe kanë votuar në emër të tyre. Edhe ky është një moment shumë i rëndësishëm është një plagë e hapur e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri dhe ndoshta ka ardhur momenti që prokuroria shqiptare me shumë guxim, kurajo e profesionalizëm duhet që ta zbardhë edhe këtë moment për ti prerë rrugën këtij fenomeni në zgjedhje e ardhshme.
Përveç këtij kallëzimi me këto pika që unë parashtrova, ne kemi depozituar në prokurori edhe një kallëzim të dytë i cili ka të bëjë me rezultatin e Tiranës. Në fakt ishte një vjedhje dhe manipulim i hapur në sytë e të gjithë opinionit publik ajo çka ndodhi me qendrat e votimit, me fletët e votimit, me kutitë e votimit në Bashkinë e Tiranës dhe sigurisht që ne në fakt na u mohua e drejta që këtë debat të mirëfilltë ta bënim përpara gjykatës. Qoftë KQZ, qoftë gjykata u munduan ti shmangen kësaj të vërtete, duke u fshehur pas procedurave ligjore dhe i takon tashmë prokurorisë që ta zbardhë gjithë këtë vjedhje dhe manipulim të madh që është bërë në Tiranë. Besoj shumica prej jush, por edhe shumica e opinionit publik e kanë parë vetë që pothuajse në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, kemi pasur një mosrakordim total të shifrave. Kjo ka vetëm një shpjegim, s’ka asnjë shpjegim tjetër. Shpjegimi vetëm është që në të gjitha këto kuti janë futur duart, pra janë shtuar fletë votimi nga persona të caktuar, qoftë në KQZ, qoftë edhe jashtë KQZ-së, si përfundim morëm atë rezultat të deformuar për Bashkinë e Tiranës.
Propagandonin shumë që nëse do të hapeshin të katërta kutitë e një qendre, të gjitha mosrakordimet e asaj qendre, do të fshiheshin, do të zeroheshin dhe qendra do të dilte e rregullt. Po në fakt mbas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që e detyroi KQZ-në që ta bënte këtë veprim, besoj se ju e patë shumë qartë që gjithë ajo çka ndodhi, u zbulua akoma edhe më shumë në sytë e shqiptarëve dhe në fakt mosrakordimi në vend që të sheshohej, u thellua akoma edhe më shumë. Kjo është një çështje shumë delikate që sigurisht i takon prokurorisë shqiptare që ta zbardhë dhe përgjegjësit e shkelësit e ligjit të shkojnë përpara përgjegjësisë ligjore, por edhe për ti prerë rrugën të tilla manipulimeve në zgjedhjet e ardhshme. Përveç kallëzimeve ne kemi paraqitur edhe prova të plota, të cilat mbështesin kallëzimet tona qoftë analizat që kemi bërë vetë, qoftë tabelat, qoftë edhe pamjet filmike të cilat ne na janë dhënë nga vetë KQZ-ja. Kështu që të dyja këto kallëzime që ne kemi paraqitur përpara prokurorisë besojmë dhe shpresojmë shumë që prokuroria shqiptare do të tregojë aftësinë e vet, paanësinë e vet politike dhe profesionale dhe jemi të bindur se do ti shkojë deri në fund këtyre dy çështjeve shumë të rëndësishme për të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri, por jo vetëm kaq por edhe për të ardhmen e demokracisë.
Dublimet ne kemi arritur ti sigurojmë që para zgjedhjeve për hir të së vërtetës. Që me daljen e listës paraprake në fund të tetorit 2010 ne na u vu në dispozicion nga Ministria e Brendshme një kopje e saj në formë elektronike dhe sigurisht ajo ju nënshtrua përpunimit nga ana jonë. Gjithë problematikat që kemi hasur tek lista paraprake ne i kemi bërë prezentë jo vetëm Ministrisë së Brendshme nëpërmjet disa shkresave që i kemi drejtuat vazhdimisht, por edhe organizmave ndërkombëtarë, duke filluar që nga OSBE e kështu me radhë. Siç e thashë për fat të keq kishim vetëm një ulje disi të numrit të dublimeve, sepse realisht në listën paraprake numri i dublimeve ka qenë rreth 26 mijë, ndërsa në listën përfundimtare kishim një ulje dhe përfundimisht arriti në 21 mijë dublime në të gjithë Shqipërinë, ku sigurisht Tirana zë një pjesë shumë të rëndësishme të tyre. Janë 5300 dublime arë cilat i përkasin vetëm Bashkisë së Tiranës. Këtu kam parasysh jo vetëm faktin që 1 person figuron në 2 qendra votimi në Tiranë, por edhe faktin që 1 person figuron edhe në njësi tjetër vendore edhe në Tiranë.
Denoncimi në prokurori është bërë që para zgjedhjeve, unë prandaj thashë që ne po paraqesim dy shtesa kallëzimi. Për sa i përket listave, problemeve dhe dublimeve me to denoncimi është bërë përpara zgjedhjeve, prokuroria është duke kryer veprimet e saj. Ka kryer disa veprime hetimore mesa jemi ne në dijeni dhe sigurisht me daljen në dritë edhe të këtyre provave apo fakteve të reja nga kontrolli që ne kemi vazhduar ti bëjmë listës jo vetëm nga zyra, por edhe nga terreni, sepse kjo është një pjesë shumë e rëndësishme që do kohën e vet që të shkosh dhe këta persona të cilët figurojnë në letra të përpiqesh që ti gjesh apo ti kontaktosh në terren. Mbasi jemi bindur përfundimisht që shumica prej tyre nuk ekzistojnë, pra janë persona të rremë, inekzistentë, ne vendosëm që të gjitha këto fakte të reja që kemi grumbulluar gjatë kësaj kohe t’ia bëjmë edhe prezent prokurorisë për të ndihmuar prokurorinë në vazhdimin e hetimit të kësaj çështje.
Ndërsa për kallëzimin e dytë është bërë një kallëzim në momentin që KQZ ndërhyri në mënyrë arbitrare në rezultatin e Tiranës. Ai është një hetim që është duke u vazhduar nga prokuroria dhe në momentin që u shpall rezultati i dytë përfundimtar, pra mbas vendimit të Kolegjit ku u hapën të gjitha kutitë nga KQZ dhe doli ai rezultat që doli dhe ajo tabelë përfundimtare. Dhe ne pasi morëm edhe pamjet filmike të cilat i pamë dhe i rakorduam me rezultatet dhe me procesverbalet e grupeve të numërimit arritëm në bindjen e thellë që të gjitha këto janë prova të mjaftueshme për prokurorinë shqiptare për të vënë para përgjegjësisë ligjore personat e caktuar.
Kësaj pyetje sigurisht që ndoshta për momentin nuk më takon mua ti përgjigjem sepse e gjithë kjo do të jetë pjesë e një strategjie që do të përcaktohet nga strukturat më të larta të Partisë Socialiste. Unë mund të bëj thjesht një koment ose të përsëris atë që ka thënë edhe Kryetari i PS që ka ikur koha e arnimeve apo e ndërhyrjeve pjesore në legjislacionin shqiptar sepse gjithë përvoja e këtyre viteve ka treguar që me ndërhyrje rastësore, me ndërhyrje të momentit, me ndërhyrje pa vizione të qarta për të ardhmen, çdo procedurë e tillë është e dështuar dhe nuk jep rezultat. Ka ardhur koha që nëse bëhet fjalë për një bashkëpunim real midis palëve, ndoshta do të jetë shumë e nevojshme që gjërat të shikohen me shumë qetësi, me shumë maturi dhe sigurisht duke e zhveshur veten nga të gjitha interesat e momentit në formulimin dhe në miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme duke filluar që nga Kushtetuta e me radhë pastaj të gjitha ligjet e tjera që kanë të bëjnë qoftë me Kodin Zgjedhor, qoftë me sistemin e drejtësisë e shumë ligje të tjera që sigurisht jo rastësisht kërkojnë një shumicë të cilësuar nga parlamenti.
Ne kemi besim tek prokuroria dhe mendojmë se do i shkojë deri në fund këtyre çështjeve për dy arsye themelore. Së pari sepse gjatë gjithë kësaj kohe prokuroria shqiptare ndryshe nga sistemi i drejtësisë, pra ndryshe nga pushteti gjyqësor, ka treguar që ka qenë më e paanshme dhe ka qenë pak më e larguar nga presionet dhe nga ndërhyrjet politike, kryesisht të mazhorancës apo të ekzekutivit. Kjo është arsyeja e parë që ne besojmë shumë tek prokuroria. Unë e thashë tek profesionalizmi i saj, por sigurisht edhe nga konsultimi që kemi bërë me ekspertët tanë provat dhe faktet janë të tilla që ndoshta edhe nëse prokuroria do të mendonte ose do të kishte tendencën që shfaqi Kolegji Zgjedhor, sigurisht do ta kishte shumë të vështirë një vendimmarrje që do të nxirrte pa lagur gjithë këta shkelës të ligjit.