English

Dhe dy kallëzime për 8 majin

Të dyja këto kallëzime që ne kemi paraqitur përpara prokurorisë besojmë dhe shpresojmë shumë që prokuroria shqiptare do të tregojë aftësinë e vet, paanësinë e vet politike dhe profesionale dhe jemi të bindur se do ti shkojë deri në fund këtyre dy çështjeve shumë të rëndësishme për të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri, por jo vetëm kaq por edhe për të ardhmen e demokracisë

Nga Armando Subashi

Jam këtu përpara jush dhe opinionit publik, në emër të PS, për t’ju bërë prezent faktin që ne kemi depozituar në prokurori dy kallëzime shtesë lidhur me veprimtarinë dhe hetimin që po kryen prokuroria mbi bazën e kallëzimeve që ne kemi depozituar përpara datës 8 maj.

Kallëzimi i parë ka të bëjë me problemin, aq shumë të ditur dhe të përfolur, që është problemi i listave të zgjedhësve. Është shumë e qartë që me daljen e listës paraprake nga verifikimi dhe kontrolli që ne i bëmë asaj liste konstatuam një sërë mangësish dhe të metash që ajo kishte. Shpresonim shumë që me daljen e listës përfundimtare të gjitha ato mangësi do të rregulloheshin dhe do të riparoheshin, por për fat të keq edhe lista përfundimtare i pasqyroi të gjitha problemet që kishte lista paraprake. Nga gjithë përpunimi që ne i bëmë listës përfundimtare të zgjedhësve rezultoi që, së pari në të gjithë Shqipërinë kishte rreth 21 mijë dublime të pastra dhe të fshehta. Nga këto rreth 5300 prej tyre rezultojnë të jenë vetëm në Bashkinë e Tiranës. Për të qenë pak më konkret në shifra, rreth 1096 janë dublime të pastra, ç’ka do të thotë që në dy qendra votimi brenda Bashkisë së Tiranës figuron si votues i njëjti person. Në një nga fletët e materialeve që ne ju kemi shpërndarë për t’ju demonstruar më qartë, keni disa nga të ashtuquajturat dublime të pastra, nga lista e gjatë që unë ju pasqyrova. Të cilat tregojnë më së miri se persona të caktuar, ose më saktë të njëjtët persona figurojnë si votues në Tiranë në dy qendra votimi. Pra ky ishte një detyrim ligjor absolutisht i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, për të bërë pastrimin e listës nga këto dublime dhe për fat të keq kjo nuk u bë dhe lista përfundimtare është një listë e shoqëruar me të tilla probleme.

Së dyti, përveç këtyre të ashtuquajturave dublime të pastra, në listë ka dhe mjaft dublime të fshehta të cilat në pamje të parë nuk mund të kapen dot, por nga një kontroll me mënyra të caktuara informatike ne kemi mundur që ti zbulojmë ato. Ka mjaft dublime të tilla ku persona të caktuar kanë ndryshuar vetëm një element të identitetit të tyre. Ju e dini që lista e zgjedhësve ka katër element, emër, mbiemër, atësia dhe datëlindja. Mjafton që vetëm njëri prej këtyre elementëve të ndryshojë dhe kjo në pamje të parë e bën të pazbulueshme kapjen e dublimit, por në fakt të gjitha këto ekzistojnë në listë dhe gjithë pjesa tjetër e dublimeve pra janë të ashtuquajtura dublime të fshehta. Sigurisht pjesën dërrmuese të tyre e zë Bashkia e Tiranës. Të gjitha këto dublime në lista kanë qenë një mundësi potenciale që persona të caktuar të kenë votuar në dy qendra votimi. Nga të gjitha informacionet që ne kemi marrë pas datës 8 maj edhe nga raportimet e komisionerëve tanë tashmë na rezulton që shumë nga këta persona kanë mundur që të votojnë në të dy qendrat e votimit ku ata kanë figuruar në listën përfundimtare.

Një moment tjetër që ne kemi trajtuar në kallëzimin tonë është edhe një fakt në fakt shumë skandaloz i cili është një vrime e zezë do thoja unë në gjithë regjistrin kombëtar të gjendjes civile që meriton një vëmendje të veçantë nga prokuroria shqiptare. Bëhet fjalë për krijimin e personave të rremë, ose akoma më shumë për krijimin e familjeve të rreme. Në listë ka familje të tëra të cilat në realitet nuk ekzistojnë, por në listën e zgjedhësve gjenden me shumicë. Ju keni përpara në dokumentat që ju kemi servirur një fletë nga gjithë ai material i madh që ne disponojmë lidhur me këtë problem dhe unë për arsye etike në fakt nuk do doja ta përmendja këtë familje, por po të shikoni ilustrimet që ju kemi vënë përpara rezulton që një familje e vërtetë e përbërë prej 4 persona pra dy bashkëshortët dhe dy fëmijët, e cila realisht ka qenë e regjistruar në vendbanimin e vet origjinal, kur ka ardhur dhe është regjistruar në Tiranë, më saktë në Paskuqan, kjo familje nga 4 është bërë me 8 persona. Pra përveç 4 personave që janë real janë shtuar edhe 4 persona të tjerë fiktivë. Po të shikoni tabelën që keni aty në ri regjistrimin fiktiv që është bërë kanë ndryshuar datëlindjet e të gjithë këtyre personave sepse me këto datëlindje që janë këta persona, pra realisht ‘63 e ‘67 ndoshta do ishte e pamundur që të kishin brenda 6 fëmijë, por duke i rritur moshën kjo të lejon të shtosh edhe 4 fëmijë të tjerë, përveç 2 fëmijëve që ata kanë. Këto janë raste që vlejnë të eksplorohen edhe nga media. Ne kemi të dhëna të plota shumë të sakta në këtë pikë dhe kemi besim të plotë që prokuroria shqiptare do zbardhë të gjithë këtë skandal të madh që ka ndodhur me listat e zgjedhësve, por që sigurisht ne besojmë që një pjesë e tyre në fakt nuk janë pasqyrim real i asaj që pasqyron sistemi elektronik i regjistrit kombëtar të gjendjes civile.

Një moment tjetër që ne e kemi trajtuar në kallëzimin tonë drejtuar prokurorisë është edhe votimi i emigrantëve. Ne disponojmë lista të sakta të emigrantëve sidomos në Bashkinë e Tiranës, të cilët nuk kanë qenë prezent në ditën e votimit por nga të gjitha raportimet e komisionerëve tanë rezulton që një pjesë e tyre të kenë votuar. Besoj është e qartë dhe e kuptueshme sesi mund të kenë votuar këta emigrantë të cilët nuk kanë qenë atë ditë në Shqipëri. Pra është shumë e qartë që persona të tjerë, persona të caktuar, kundrejt një dokumenti identifikimi të caktuar janë paraqitur dhe kanë votuar në emër të tyre. Edhe ky është një moment shumë i rëndësishëm është një plagë e hapur e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri dhe ndoshta ka ardhur momenti që prokuroria shqiptare me shumë guxim, kurajë e profesionalizëm duhet që ta zbardhë edhe këtë moment për ti prerë rrugën këtij fenomeni në zgjedhje e ardhshme.

Përveç këtij kallëzimi me këto pika që unë parashtrova, ne kemi depozituar në prokurori edhe një kallëzim të dytë i cili ka të bëjë me rezultatin e Tiranës. Në fakt ishte një vjedhje dhe manipulim i hapur në sytë e të gjithë opinionit publik ajo çka ndodhi me qendrat e votimit, me fletët e votimit, me kutitë e votimit në Bashkinë e Tiranës dhe sigurisht që ne në fakt na u mohua e drejta që këtë debat të mirëfilltë ta bënim përpara gjykatës. Qoftë KQZ, qoftë gjykata u munduan ti shmangen kësaj të vërtete, duke u fshehur pas procedurave ligjore dhe i takon tashmë prokurorisë që ta zbardhë gjithë këtë vjedhje dhe manipulim të madh që është bërë në Tiranë. Besoj shumica prej jush, por edhe shumica e opinionit publik e kanë parë vetë që pothuajse në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, kemi pasur një mosrakordim total të shifrave. Kjo ka vetëm një shpjegim, s’ka asnjë shpjegim tjetër. Shpjegimi vetëm është që në të gjitha këto kuti janë futur duart, pra janë shtuar fletë votimi nga persona të caktuar, qoftë në KQZ, qoftë edhe jashtë KQZ-së, si përfundim morëm atë rezultat të deformuar për Bashkinë e Tiranës.

Propagandonin shumë që nëse do të hapeshin të katërta kutitë e një qendre, të gjitha mosrakordimet e asaj qendre, do të fshiheshin, do të zeroheshin dhe qendra do të dilte e rregullt. Po në fakt mbas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që e detyroi KQZ-në që ta bënte këtë veprim, besoj se ju e patë shumë qartë që gjithë ajo çka ndodhi, u zbulua akoma edhe më shumë në sytë e shqiptarëve dhe në fakt mosrakordimi në vend që të sheshohej, u thellua akoma edhe më shumë. Kjo është një çështje shumë delikate që sigurisht i takon prokurorisë shqiptare që ta zbardhë dhe përgjegjësit e shkelësit e ligjit të shkojnë përpara përgjegjësisë ligjore, por edhe për ti prerë rrugën të tilla manipulimeve në zgjedhjet e ardhshme. Përveç kallëzimeve ne kemi paraqitur edhe prova të plota, të cilat mbështesin kallëzimet tona qoftë analizat që kemi bërë vetë, qoftë tabelat, qoftë edhe pamjet filmike të cilat ne na janë dhënë nga vetë KQZ-ja. Kështu që të dyja këto kallëzime që ne kemi paraqitur përpara prokurorisë besojmë dhe shpresojmë shumë që prokuroria shqiptare do të tregojë aftësinë e vet, paanësinë e vet politike dhe profesionale dhe jemi të bindur se do ti shkojë deri në fund këtyre dy çështjeve shumë të rëndësishme për të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri, por jo vetëm kaq por edhe për të ardhmen e demokracisë.

KOMENTE