Paradoksalisht, hapësira publike në kulturë, sikundër edhe në shumë fusha tjera, është zaptuar nga partitë politike ose, më ngushtë, nga klikat dhe klanet që përvetësojnë vendosjen në emër të “interesit publik”, duke e shndërruar kështu domenin e interesit publik, papërgjegjësisht në diçka private dhe subjektive
Nga Shkëlzen Maliqi
Jubileu i Dokufestit, i cili të shtunën e fillon edicionin e dhjetë, është njëra prej gjërave më të mira që ka ndodhur në Kosovën e pasluftës. Kur e them këtë nuk kufizohem, në kuptimin e ngushtë të fjalës, vetëm në të arriturat kulturore. Dokufesti është shumë më shumë; është një ndërmarrje shembullore ndër ato që e shquajnë shoqërinë civile të Kosovës. Bën pjesë në projektet më të avancuara dhe më të suksesshme të iniciuara dhe zhvilluara me vullnetin dhe entuziazmin e qytetarëve. Mund të thuhet, pa fije dyshimi, se asnjë instancë e pushtetit, as e nivelit komunal e as atij qendror, sikundër edhe asnjë segment i kulturës zyrtare, nuk është meritor për suksesin dhe rrjedhën jubilare të Dokufestit. Që nga ideja e parë dhe deri te edicioni i dhjetë, Dokufesti ka qenë dhe mbetet sukses i një grupi intelektualësh dhe dashamirës të kulturës nga Prizreni.
Ata fillimisht u motivuan nga pakënaqësia me margjinalizimin dhe provincializimin kronik dhe turpërues të qytetit të tyre, ndërkaq që me çdo edicion të ri, zbulonin se e kanë edhe vizionin, dijen dhe influencën që jo vetëm Prizrenit, por edhe Kosovës, t’ia sigurojnë një vend të spikatur në hartën e ngjarjeve të rëndësishme kulturore të rajonit dhe më gjerë.
Vetëm në vitet e para Dokufesti ishte zbulim dhe befasi e këndshme për pjesëmarrësit nga jashtë dhe Kosova, ndërkaq që tani e ka siguruar brendin dallues dhe traditën. Dy vjet më parë një kritik i filmit nga Sllovenia, Marcel Stefançiq e pat quajtur Dokufestin “Sundance të filmit dokumentar dhe të shkurtër”.
Por ky brend më me vështirësi është pranuar dhe njohur nga kultura dhe politika zyrtare. Duke mos qenë projekt klientelist dhe sipas “standardeve” të përçudnuara të mjedisit, me vështirësi i ka siguruar ca ndihma nga komuna dhe sidomos “niveli qendror”. Për çdo vjet janë përsëritur ankesat e njëjta për statusin si të Hirushes së kulturës kosovare, por tani që Dokufesti i ka mbushur 10 vjet dhe është shndërruar në një institucion model, nuk ka më kuptim që të kënaqet me lëmoshë. Nuk i detyrohet Dokufesti asgjë Kosovës, por Kosova i detyrohet shumë Dokufestit! Bërja e Dokufestit institucion me traditë ndërkombëtare edhe me tej shkon ndesh me “politikat kulturore” të klasës sunduese politike. Kjo do të thotë se nëse do të mbisundonte logjika burokratike, Dokufesti as që do të ndodhte. Dokufesti me Skenën Up dhe disa projekte tjera, është dëshmi e qartë se sa kanë qenë të kota “strategjitë kulturore” që u patën hartuar para ca vitesh me shumë zhurmë, ambicie dhe shpenzime, e që prodhuan vetëm andërralla dhe fontanë dëshirash, apo ide megalomane si ajo e Operës luksoze, pa menduar në kapacitetet performuese dhe të mirëmbajtjes…
Dokufesti është një shembull eklatant që zhvesh paradoksin e raportit mes interesit publik dhe interesit privat në kulturë. Dokufesti, si një projekt i disa personave “private” që angazhojnë kapitalin e vetë krijues dhe ekspertizën, i përmbush pothuajse të gjitha kriteret e një manifestimi me interes të lartë për shoqërinë dhe kulturën kosovare. Vetëm se sfera publike, pra institucionet që do të duhej ta vlerësonin rëndësinë dhe kontributin e Dokufestit, ende nuk e njohin si të tillë, ose e bëjnë këto me kushtëzime meskine. Kjo ndodh për arsye që sfera dhe interesi publik, që banohet nga pushteti, është e uzurpuara. Paradoksalisht, hapësira publike në kulturë, sikundër edhe në shumë fusha tjera, është zaptuar nga partitë politike ose, më ngushtë, nga klikat dhe klanet që përvetësojnë vendosjen në emër të “interesit publik”, duke e shndërruar kështu domenin e interesit publik, papërgjegjësisht në diçka private dhe subjektive.
As në nivelin e komunave e as në nivelin e republikës Kosova nuk ka ndërtuar infrastrukturën e plotë ligjore, e as forumet kompetente, që do të përcaktonin se çfarë është interesi publik, dhe kush dhe si e përfaqëson dhe e mbron këtë interes. Nëse do të ekzistonte kultura e mbrojtjes së interesit dhe vlerave publike, Dokufesti nuk do të mbetej qëmoti në pozitën e Hirushës, por do të kategorizohej ndër manifestimet kulturore prioritare për republikën dhe komunën.
Republika e Kosovës (Kryetari, Kryeministri, Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe të Punëve të Jashtme) si dhe Komuna e Prizrenit, do të duhej të nënshkruanin sa më parë një Memorandum të bashkëpunimit të tipit aq të reklamuar “publiko-privat”, ku do të vlerësohej lartë dhe me instrumente të përhershme të suportit, jo vetëm financiare por edhe insfrastrukturore, Dokufesti si institucion model i festivalit ndërkombëtarë që i kontribuon kulturës së vendit dhe afirmon Kosovën në mënyrë të denjë në arenën ndërkombëtare.