E premte, 22 korrik 2011, NOA- I akuzuari për krime lufte Goran Haxhiç ka mbërritur në Gjykatën e Hagës.
Haxhiç është i dyshuar se ka kryer krime lufte në Kroaci në vitet 1991-1995, ai është akuzuar se dha urdhër për vrasjen e qindra banorëve jo-serbë të Kroacisë dhe dëbimin e mijëra të tjerëve nga vendi.
Haxhiç, i shoqëruar nga një kolonë makinash policie, ka lënë në mëngjes Gjykatën e Krimeve të Luftës në Beograd, për të udhëtuar drejt veriut, në Novi Sad, ku fillimisht vizitoi nënën e tij të sëmurë, dhe më pas varrin e të atit. Rreth mesditës Haxhiç mbërriti në aeroportin e Beogradit për të nisur fluturimin drejt Hagës.
Udhëheqësi i serbëve të Kroacisë gjatë konfliktit në ish Jugosllavi në vitet 90-të, iu fsheh drejtësisë pas ngritjes së akuzave kundër tij në vitin 2004 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
a.y/NOA