Halli nuk është këtu se 5 veta plus stafi i secilit prej tre vetash, që bëjnë gjithsej 20 veta do të marrin përfitime të paarsyeshme. Halli është se kjo praktikë është vetëm maja e ajsbergut
Nga Glauk Konjufca
Kur e kam lexuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Përfitimin e ish Zyrtarëve të Lartë, e kam kuptuar se Kryeministri Hashim Thaçi po përgatitet për pensionim politik.
Tash kur kryeministrit dalëngadalë po I afrohet fundi politik, ai ka filluar t'i ndryshojë ligjet për t'ia bërë vetes vendin sa më luksoz atëherë kur nuk do të jetë më aty ku është.
Arsyet janë të qarta nëse e lexojmë ligjin.
Ky është një ligj që e tregon makutërinë e zyrtarëve tanë shtetërorë.
Në nenin 3 pika një, ligji specifikon se zyrtari I lartë, pas përfundimit të mandatit e merr 70% të pagës së tij të cilën e merrte përderisa e ushtronte funksionin përkatës.
Kjo do të thotë se ish zyrtarët e lartë marrin paga të larta mbi 1000 euro edhe pasi të dalin në pension.
Dhe nëse ky përfitim merret si pension, ashtu siç duhet të merret, atëherë, kemi të bëjmë më pensione të ish zyrtarëve të lartë që janë 30 herë më të larta se pensionet e qytetarëve të varfër të Kosovës.
Si mund ta kuptojnë ata një njeri që merr pension 40 euro që nuk I del as për ilaçe?
Por, vetëm kjo nuk iu mjafton zyrtarëve tanë të lartë.
Në nenin 3 pika 4 ata përkujdesen që edhe pas përfundimit të mandatit të tyre ta kenë asistentin e lartë, truprojen dhe vozitësin që paguhen nga buxheti I Republikës së Kosovës.
Me të drejtë qytetarët e Kosovës do të thonin se kjo është me ia tepru.
Por, prit pak se kjo nuk është e gjitha.
Sepse zyrtarët tanë të lartë janë përkujdesur edhe për më shumë se kaq.
Në nenin 3 pika 7 thuhet se ata do t'i kenë 1,200 euro në vit për harxhime të telefonit dhe internetit.
Merreni me mend – 100 euro në muaj për harxhime të tilla!
Përfitime të tilla na tregojnë për një mendësi absolutiste të zyrtarëve tanë politikë.
Ata nuk duan dhe nuk mund të shkëputen nga luksi që e shfrytëzojnë gjatë mandatit, prandaj e vazhdojnë këtë jetë edhe pas përfundimit të mandatit.
Pra ata janë përpirë nga një jetesë e tillë.
Ata janë robëruar nga luksi.
Në këtë mënyrë, ata nuk po bëhen ish zyrtarë të lartë, por po vazhdojnë të jenë zyrtarë të lartë.
Kryeministri po përgatitet për pension, por ai nuk po dëshiron që pas mandatit të përfundojë para drejtësisë.
Dhe kjo mund të kuptohet nga projektligji.
Sepse ai është kujdesur që me projektligj t'i korruptojë dhe rehatojë dy miq të tij – Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese si dhe Kryeprokurorin e Shtetit, pikërisht atë që do të duhej ta hetonte kryeministrin.
Neni 2 i projektligjit pra, kërkon që zyrtarëve të lartë, të cilët do t'i kenë të gjitha ato beneficione për të cilat fola, t'i shtohen edhe këta dy, pra Enver Hasani dhe Ismet Kabashi.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër këtij ligji dhe këtij projektligji që ligjin edhe ashtu të keq e bën më skandaloz.
Ky ligj dhe projektligj është shembulli më i mirë dhe ilustrativ se si zyrtarët tanë politikë institucionet e Kosovës I kanë kthyer në salltanete personale, në vend që t'i trajtojnë si instrumente shërbyese për qytetarin.
Prej krejt gjërave që i kanë bërë zyrtarët tanë politikë, më së miri e kanë bërë këtë punën e përfitimeve personale.
Po të ishin kujdesur ata për pensionet e qytetarëve ashtu qysh përkujdesen për të vetat, mirëqenia e qytetarit do ishte përmirësuar dukshëm.
Halli nuk është këtu se 5 veta plus stafi i secilit prej tre vetash, që bëjnë gjithsej 20 veta do të marrin përfitime të paarsyeshme.
Halli është se kjo praktikë është vetëm maja e ajsbergut.
Kjo është vetëm simptomë e asaj se në çka janë kthyer institucionet tona politike dhe punlike.
Ato janë kolonizuar nga mijëra persona që e keqpërdorin paranë tonë punlike duke filluar prej lapsave kimikë, e deri te Postë-Telekomi i Kosovës, Ferronikeli e Trepça.
Njerëz të tillë domosdo përfundojnë ne negociata me Serbinë.
Për të gjitha këto arsye ne do të votojmë kundër një ligji të tillë që shpërfaq mendësinë e korruptuar të zyrtarëve të pangopur me paranë tonë publike.
* Fjalimi i mbajtur sot në seancën e sotme parlamentare - 22 Korrik 2011