Shkup, 22 korrik, NOA - Kompanitë përfaqësuese të prodhimeve serbe që janë dominuese në Maqedoni do të realizojnë eksportin e mallrave serbe për në Kosovë.
Një pjesë e madhe e mallrave serbe përmes Maqedonisë do të hyjë në Kosovë, pas vendosjes së embargos për mallrat serb nga autoritetet e Prishtinës.
“Në Maqedoni janë të gjitha përfaqësitë e kompanive dhe prodhuesve serb, dhe se ato pritet të shtojnë kapacitet për të eksportuar mallra në Kosovë, pas embargos së vendosur nga Prishtina. Mendoj se kjo do të jetë një zgjidhje e përkohshme, për të evituar edhe humbjet nga tregu kosovar”, deklaroi një nëpunës i Ministrisë së Ekonomisë në Shkup.
Në pikat kufitare bëjnë të ditur se janë ka lëvizje të zakonshme të transportuesve nga Serbia, por kompanitë e spedicionit nuk përjashtojnë rritjen e fluksit.
Qeveria e Kosovës dy ditë më parë vendosi embargon e mallrave serbe, apo të ashtuquajturën masë e reciprocitetit, asi Qeveria serbe nuk lejon hyrjen në Serbi të mallrave që mbajnë vulën e Republikës së Kosovës.
Serbia është njëra nga eksportueset e para të mallrave të saj në Kosovë. Nga eksporti i mallrave të saj, Serbia përfiton 400 milion euro në vit, ndërsa nga Kosova eksportohen vetëm 4 milion euro në vit. Autoritetet serbe kanë kërkuar ndihmë nga BE për zhbllokimin e kësaj mase dhe respektimin e marrëveshjes CEFTA.
NOA/INA