English

Miratohen projekte për 2 resorte turistike në Kavajë, Berisha: Respektojmë vlerat mjedisore

Tiranë, 22 korrik 2011 NOA - Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim miraton projektet për 2 resorte turistike në plazhin e Kavajës. Bordi i AIDA nën drejtimin e kryeministrit Berisha mori në shqyrtim dhe miratoi disa akte nënligjore për funksionimin e Agjencisë, si dhe miratoi ndjekjen e procedurave për realizimin e dy projekte për zhvillimin e resorteve turistike në bregdetin e rrethit të Kavajës dhe konkretisht, në Gose dhe në Synej. Projekti i parë parashikon ngritjen në një sipërfaqe prej 650 hektarë të një qyteze me qëllime multifunksionale dhe projekti i dytë propozon ndërtimin e një porti jahtesh dhe krahas tij, të një qyteze turistike në këtë zonë, me një sipërfaqe prej 160 hektarë. Në përfundim të tyre, këto projekte shkojnë deri në 1 miliardë euro investim secili.

Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishëm respektimin e standardeve në ndërtim dhe ruajtjen e zhvillimin e mjedisit në zonat turistike. “Ne kemi rreth 90 përqind të bregut të pazhvilluar. Kjo do të thotë se nuk duhet të jemi asnjëherë lakmitarë për shfrytëzim intensiv. Ne duhet t’u mbetemi standardeve më të mira të shfrytëzimit, të ruajtjes së mjedisit, të hapësirave dhe të lartësive të ndërtimeve”, - u shpreh Kryeministri.

Këto dy projekte janë edhe projektet e para ku AIDA do të punojë në funksion të misionit të saj për të qenë pika qendrore e kontaktit dhe shërbimeve ndaj investitorëve vendas dhe të huaj.

a.q/NOA

KOMENTE