Kombet e Bashkuara kanë deklaruar mungesë ushqimesh në dy rajone të jugut të Somalisë, ndërsa grupet e ndihmave po përpiqen të rrisin fondet e emergjencës për miliona njerëz të kërcënuar nga uria.
Kombet e Bashkuara po përgatisin ndihmat më të mëdha të lëshuara ndonjëherë, për të luftuar urinë në rajonet Bakul dhe Lauer Shabell – të prekura nga uria më e rëndë në botë në 20 vjet.
Agjencitë thonë se dhjetëra mijëra somalezë, shumica nga ta fëmijë, janë në rrezik të vdesin. Sipas tyre, 3.7 milionë të tjerë – pothuajse gjysma e popullsisë së vendit – mund t’i nënshtrohen këtij rreziku, nëse ndihmat nuk arrijnë me shpejtësi.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, u bëri thirrje vendeve të dhurojnë 1.6 miliard dollarë ndihmë: “Kombet e Bashkuara janë alarmuar që disa muaj. Ne kemi nevojë për ndihmën e donatorëve për të adresuar nevojat e tanishme dhe për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të krizës. Agjencitë humanitare kanë nevojë urgjente për fonde, për të shpëtuar jetë. Nëse financat nuk janë në dispozicion tani për ndërhyrjet humanitare, uria ka të ngjarë të vazhdojë dhe të përhapet”, tha Ban, për të shtuar se fëmijët dhe të rriturit somalezë po vdesin “në mënyrë të tmerrshme”.
Sipas tij, çdo vonesë kushton më shumë jetë.
Mark Bouden, koordinator i OKB-së për ndihmë Somalisë, tha se kjo e fundit aktualisht ka shkallën më të lartë të kequshqyerjes në botë. Ai i bëri këto komente në një konferencë për media, në Nairobi të Kenias.
“Në disa pjesë të Somalisë, normat e kequshqyerjes kanë arritur nivele jashtëzakonisht të larta - 50 për qind te fëmijët nën 5 vjeç”, tha Bouden i cituar sot nga radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, për dy muajt e ardhshëm nevojiten 300 milionë dollarë ndihmë për të adresuar çështjen e urisë - të shkaktuar kryesisht nga thatësira që ka prekur me vite këtë vend, por edhe Kenian e Etiopinë.
Organizatat humanitare thonë se ndalesa e ndihmave ushqimore, e vendosur në vitin 2010 nga militantët islamikë, të cilët kontrollojnë jugun e Somalisë, i ka kontribuuar po ashtu krizës.
Kryengritësit al-Shabab, që kanë lidhje me Al Kaidën, kanë hequr ndalesën këtë muaj, por ka shqetësime se ata mund të ndërhyjnë në shpërndarjen e ndihmave.
Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Suzën Rajs, tha: “Arsyeja përse ndihma nuk ka shkuar në sasi të mjaftueshme në pjesën jugore dhe qendrore të Somalisë, është se al-Shabab ka penguar qasjen e njerëzve. Dhe, kur ata kanë pasur qasje, militantët u kanë vënë tatime, i kanë vrarë, i kanë rrëmbyer. Pra, ky është problemi”, tha Rajs.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Ushqim thotë se Somalia është vendi më i rrezikshëm në botë për të punuar në të.
I njëjti ka pezulluar aktivitetet e tij në Somali dy vjet më parë, pas humbjes së 14 punëtorëve humanitarë.