English

Piramida brenda vetes

Nga Artur Zheji

Pa dashur të hyj në debatin e ditës për Piramidën, që është një debat në të vërtetë i tejkaluar dhe tashmë i djeshëm, i ngacmuar nga një manifestim i moderuar nga Ardian Klosi, doja të shprehja edhe njëherë opinionin tim për këtë dialog antagonist që ka në brendësi shumë fije interesash dhe nënshtresash, të cilat, si bashkëkohës besoj se i njoh sadopak. Ky shkrim nuk ka si qëllim polemikën me polemistët që kanë marrë për zemër këtë betejë, të cilën në vetvete, për aq sa është e sinqertë, e respektoj dhe e përshëndes. Mua më pëlqen një shoqëri që debaton dhe gjallon intelektualisht dhe në këtë kornizë, për aq sa ka intelektualitet ky debat, është padyshim interesant dhe meriton vëmendje dhe përfillje.

Kam qenë student në vitet e fundit, kur u vendos ndërtimi i piramidës në bulevardin e dominuar nga kalecët (spiunët dhe zarat spiunë) e shumtë dhe, meqë rruga në mënyrë të përditshme më binte pikërisht andej, e kam soditur i neveritur pafundësisht herë këtë ngrehinë që po krekosej e gjithëpushtetshme. Banoja te Rruga e Durrësit dhe rrugëtoja për tek Akademia e Arteve dy herë në ditë, paradite dhe mbasdite dhe pra, pa dashjen time, e kam parë të më rritet para syve ajo Gjëja, që Enveri, në duart e amanetqarit Ramiz Alia po ia linte Qytetit dhe shqiptarëve si një Piramidë kujtese mbi themele gjaku dhe poshtërimi. Për ne studentët e atyre viteve, që e konsideronim Enverin të paktën si kilianët Pinoçetin, ky ndërtim që bëhej bash në zemër të kryeqytetit ishte një akt poshtërues, që, për më tepër, premtonte të jetonte në pafundësi, si dhe jetojnë në pafundësi Piramidat egjiptiane.

Piramida mediokre shqiptare, u ngrit nën mbikëqyrjen e familjes Hoxha, si banesa e fundit shpirtërore e diktatorit, një banesë e ngujuar në një rrugëtim që do të bënte veprën e diktatorit një monument të përjetshëm. Kjo ishte një sfidë e pandershme dhe acaruese, sidomos kur tavolinat e shqiptarëve ishin bosh dhe legjenda e milionave dollarëve të hedhura aty, për të nderuar kufomën dhe veprën politike e shpirtërore të Kufomës, binte rëndë në stomak dhe në ndërgjegjen edhe të shumë komunistëve, tashmë të lëkundur të asaj kohe.

Ramiz Alia dhe anëtarët, asokohe të nderuar, të Byrosë politike, inspektonin kohë pas kohe Monumentin dhe Garda e Republikës e ruante natë e ditë dhe me fishek në gojë të kallashnikovit kantierin luksoz. Tërë ajka e artit, servile dhe oborrtare të asaj periudhe, punonte si bleta punëtore që mbushte me nektarin më të rafinuar të modës lindore, hojet ku do të ndryhej për në udhëtim të përjetshëm ky simbol që po lartësohej për t’u përleshur me shkulmet e kohërave, pa patur frikë nga Koha…

Ky fodullëk ishte tronditës për atë pak dritë që mundoheshim të ruanim gjallë në fund të shpirtit, aty diku në shpellat e thella ku capak si ne, ndiznim një zjarr eremiti dhe jetonim në një realitet virtual që e prodhonim si antihelm mbijetese, ndaj toksinave të shumta të kohës së ndyrë që na persekutonte lirinë në çdo çast të ekzistencës.

Në ato shpellat e eremitazhit virtual ku projektonim imagjinaren e Lirisë që e dinim që do të vinte, kam ftuar jo pak herë edhe Edi Ramën, i cili ishte asokohe një liridashës i zjarrtë, një intelekt fin dhe një mik besnik dhe aspak komsomolas apo sigurims Junior. Klosin, i cili mos gaboj asokohe studionte në Vienë, nuk e mbaj mend atyre shpellave fisnike, ku capak si ne, komplotonin virtualisht dhe jo vetëm, kundër tiranisë që kapardisej bulevardeve dhe donte të ndërtonte një Puçërr të përjetshme qelbi, derdhur në trajtë Piramide, përmendore keopsiane të së keqes së përjetshme. Nuk bëhej më fjalë për antikomunizëm. Kam njohur në jetë shumë antikomunistë të poshtër dhe shumë komunistë të ndershëm, si dhe shumë komunistë të poshtër dhe shumë antikomunistë të ndershëm.

Ishte një betejë që bëhej për të shpëtuar Njeriun dhe njerëzoren e mbetur në shoqërinë shqiptare, të rraskapitur dhe të përdhunuar. Një betejë që capak si ne dhe ne si brez realisht dhe historikisht e kemi humbur. Njeriu dhe njerëzorja që shohim përreth, nuk na pëlqen aspak, pavarësisht aureolave dhe citimeve të shpeshta biblike apo kushtetuese. Me sa duket, Betejat e mëdha janë shpikur nga njeriu më shumë për t’u luftuar se sa për t’u fituar…

Por të bësh sot një betejë për të mbrojtur Piramidën e asaj farse gjakatare që ishte qeverisja e Hoxhës, më duket e tejkaluar dhe groteske. Të ishte se kjo piramidë do të prishej për t’i lënë vend një piramide tjetër, për Saliun apo për Jozefinën, do dilja tok me Klosin me teza dhe impulse edhe më luftarake se ai, por nuk mund të solidarizohem dot me një betejë që në thelb bëhet kundër Parlamentit të ri Shqiptar.

Më mirë një Parlament të të gjithëve, sesa një piramidë që nuk ndryn brenda vetes asnjë akt historik, por është thjesht një konservë e mermertë e një akti të rëndomtë të retorikës arkitektonike të një kohe të perënduar tashmë. Piramida brenda vetes nuk besoj se na ka hije, ka beteja më të ndershme qytetare që ia vlen të luftohen dhe jo vetëm, ja vlejnë çdo sakrificë.

Gazeta “Mapo”

KOMENTE
  • sotir Labi14:42 - 23 Korrik 2011
    Turi.Shkrimin ta lexova dhe po ta them si nga fshati;ke bere nje vrime ne uje.Do pajtohesha me ty,kur thua ka beteja me te ndereshme qytetae qe ia vlen te luftohen dhe jo vetem....por deri ketu se me tutje ruget tona ndahen.Shkaqet pse ndahen jane te shumte, por une do zgjidhja vetem nje;-ti me penen tende ke mbetur LARO i regjimit ose ushtar besnik i partise ne betejat e felliqura per tu pasuruar nje bande kusaresh, duke genjyer,mashtruar,vjedhur dhe vrare, kurse une si shumica qe luftoje te mbijetoje me ortakun time NDERSHMERIN,te cilin ti dhe shume "intelktuale" ia keni varur teneqen dhe e keni prodhosur,kur pate dhe kuptuat se po se ngacmove AREZEN ju pasuroheshit.Pra i dashur Artur,teoria jote eshte: se kur ha une,te tjeret jane te ngopur. Qe te mos zgjatem se debatet duhan kohe dhe vende,po te them:-Provoje po ke koqe te ngacmosh arezen(saliun),thuaje po ta mbajti menderja shko qenit (saliut), pa do ta shikosh mire vrimen nga ke dole. Dhe po je SHQIPETAR,shkruaj per jetimet qe lane banditet dhe kriminelet diktatore,shkruaj per e voten qe na e vodhen pa pike turpi,shkruaj per bllokenet demokrate qe po pasurohen vetem duke vjedhur dhe leri se shkruari perallat me piramida,se ata i ka qejf vetem diktatori sali per te poshteruar fukarenjte.
  • progresi.13:22 - 22 Korrik 2011
    Z. ZHEJI e ka shkruajtur me se miri, ka sqaruar gjithçka. nuk meriton AI vellai Stalinit( krimineli) te kujtohet sa here te kalojme prane piramides se xhelatit... urime Z. ZHEJI. te lumte goja.