Tiranë, 22 korrik 2011 NOA / Albana Qehajaj – Pak minuta pas përfundimit të seancës së parë gjyqësore ndaj tij, ish zëvendëskryeministri Ilir Meta ka shigjetuar prokurorinë e përgjithshme për përdorimin e standardeve të dyfishta gjatë hetimit.
Meta tha për gazetarët se, organi qëndror i akuzës është marrë peng nga përgjuesi i tij, Dritan Prifti.
‘Prokuroria u tërhoq nga një provë, të cilën e ka sjellë vetë dhe që është prova e vetme origjinale. Organi i akuzës është marrë peng nga përgjuesi im, në mënyrë që ai të ketë favore të tjera dhe të vazhdojë të dëshmojë në mënyrë të rreme”, ka deklaruar Meta.
Sipas tij, Dritan Prifti, dëshmitari i vetëm i prokurorisë së përgjithshme është i pavlefshëm nga ana juridike sepse është vetë i pandehur.
“Procesi është i hapur për mediat dhe ndërkombëtarët. Edhe unë do të vazhdoj të
jem i hapur në gjithçka do të ndodhë. Me gjithë shkeljet e rënda që në fillimet e tij, ky proces do të dëshmojë padrejtësitë, por edhe do të shërbejë për të goditur të gjitha lojrat politike ku është përfshirë organi i akuzës”, ka shtuar ish kreu i METE.
Meta nuk ka komentuar gjerësisht vendimin e Gjykatës së Lartë për refuzimin e kërkesës së tij për të thirrur si të pandehur ish zëvendësin e tij, Leonard Beqiraj.
“Gjykata vepron në bazë të proçedurave, s’mund të komentoj vendimet e saj. Por, ajo që duhet parë me vëmendje është tërheqja e prokurorisë nga prova e saj e vetme, origjinale”, ka këmbëngulur Meta.
a.q/NOA