English

Rrëfehet i dyshuari: E vrava se më ngacmoi të dashurën greke në Facebook

Korfuz, 20 Korrik 2011 NOA/ Nikos Samaras – “E vrava unë dhe e bëra sepse më ngacmonte të dashurën në Facebook”. Në këtë mënyrë, i dyshuari kryesor i vrasjes së adoleshentit dy ditë më parë në Korfuz, jo vetëm ka pranuar vrasjen por edhe ka shpjeguar arsyen e krimit.

I riu është dorëzuar sot në policinë lokale të Korfuzit së bashku me shoqen e tij greke, raporton korrespondenti i agjencisë NOA. Policia tha se e konsideron 20 vjeçarin si autor të vrasjes kurse 17 vjeçaren shtetase greke, që ishte “molla e sherrit”, si bashkëpunëtore në krim. Më herët ishte arrestuar i treti i kësaj historie, si i pranishëm në vrasjen me thikë të së mërkurës mbrëma.

Emigranti shqiptar është dorëzuar sot vullnetarisht në policinë lokale. Ai ka deklaruar se vrasja e 17 vjeçarit erdhi në gjaknxehtësi e sipër, për shkak të përplasjeve që kishin më herët lidhur me faktin sipas tij, se viktima ngacmonte të dashurën e tij në rrjetin social Facebook.

Krimi ndodhi fare pranë sheshit qendror të Korfuzit, mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 21.00. Shoqëria e dy djemve “rivalë” kishte mbyllur paraprakisht një takim në qendër të qytetit, “për t’u sqaruar”. Ky takim u mbyll përmes komunikimit në Facebook.

Dy grupet me nga tre vetë secili, u takuan në shesh, pranë Bankës Kombëtare Greke, dhe nisën të debatojnë. Në qendër të debatit ishte i dorëzuari i sotëm i cili iu përvesh 17 vjeçarit duke e akuzuar se i ngacmonte shoqen e tij greke në Facebook.

Në këtë debat ka qenë e pranishme dhe vetë vajza helene për të cilën aludohej nga i dashuri i saj.

Në gjaknxehte e sipër, 20 vjeçari ka nxjerrë një thikë duke e plagosur rëndë adooleshentin. Menjëherë më pas, bashkë me shoqen e tij dhe një shok të tij 25 vjeçar, që të tre u zhdukën për t’i shpëtuar një ndjekje të mundshme policore.

Gjithçka ndodhi në sy të shumë banorëve vendas dhe turistëve që panë skenën e përgjakshme.

I riu i plagosur u dërgua në spitalin shtetëror të Korfuzit, por dëmtimet me thikë ishin vdekjeprurëse ndaj ai ndërroi jetë pak minuta më vonë.

Forca të shumta policore që shkuan në vendngjarje, bënë procedurat e rastit dhe shpallën në kërkim tre personat që u përfshinë në krim, duke identifikuar 20 vjeçarin si autor kryesor të vrasjes. Një ditë më pas policia konfirmoi arrestimin e një prej të dyshuarve, atë 25 vjeçar kurse sot dorëzimin e dy të tjerëve.

n.s/a.f/e.t/NOA

KOMENTE