English

Shpërthim dhe atentat në Norvegji, ankth në vend prej sulmeve xhihadiste

Oslo, 22 korrik 2011, NOA- Kryeqyteti i Norvegjisë, Oslo, u trondit ditën e sotme teksa u përball me një sulm të papritur, ku si pasojë e të cilit 7 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Sulmi i cili ndodhi rreth orës 15.00 të pasdites së sotme ishte shumë pranë selisë së qeverisë, konkretisht, brenda ambienteve të një prej gazetave më të mëdha në vend, VG, ku sipas policisë shkak për këtë shpërthim të fuqishëm dyshohet të ketë qenë një autobombë, por që autorësia e të cilës ende nuk është konfirmuar.

Menjëherë pas kësaj ngjarje nga ana e policisë u bë evakuimi i ndërtesave përreth pasi dyshohej se mund të kishte edhe shpërthime të tjera, pasi nga shpërthimi u dëmtua pjesa më e madhe e dritareve të zyrave të qeverisë si dhe ambientet e godinave përreth, por fatmirësisht kryeministri Jens Stoltenberg nuk ndodhej në zyrë.

Sulmi i dytë- Pas shpërthimit të ndodhur në kryeqytetin e Norvegjisë në Oslo, një tjetër sulm është shënuar pak orë më pas në Utoyea, ku 5 persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën.

Për këtë sulm të dytë dyshohet se autor ka qenë një person i maskuar si polic i cili ka hyrë në një kamp të rinjsh dhe ka filluar të gjuajë me armë në drejtim të njerëzve të mbledhur.

Mësohet se sulmi ka ndodhur në një kamp të rinjsh ku kryeministri i vendit Jens Stoltenberg do të merrte pjesë në një takim qeveritar me të rinjtë e Partisë Laburiste.

Nga ana e policisë thuhet se mes dy sulmeve ka lidhje të drejtpërdrejtë, duke hedhur dyshime për një atentat të mundshëm ndaj kreut të qeverisë.

Reagimet e ndërkombëtarëve- Menjëherë pas sulmit i cili risolli dhe njëherë në vëmendje shpërthimet e 11 shtatorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës reagoi edhe Presidenti i Bashkimit Europain, Herman Van Rompuy, i cili e cilësoi këtë sulm të pajustifikueshëm dhe e dënoi atë, por menjëherë pas tij, ky sulm u dënua edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit i cili e cilësoi këtë akt si të neveritshëm.

Më i ashpër në qëndrimin e tij ishte kreu i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama i cili tha se se asnjë shtet nuk është imun ndaj sulmeve të terroristëve, duke shtuar më tej se amerikanët janë në krah të popullit norvegjez teksa theksoi se duhet bashkëpunim për të ndaluar sulme të kësaj natyre.

Krahas tij një sërë vendesh dhe personalitetesh të arenës ndërkombëtare shprehën mesazhe ngushëllimi për Norvegjinë si dhe dënuan sulmet me të cilat u përball vendi ditën e sotme.

Analiza e shpërthimit- Norvegjia edhe më herët nën objektivin e sulmeve

Norvegjia së bashku me Danimarkën dhe Suedinë kanë qenë prej kohësh në qendër të sulmeve terroriste.

Vetëm një vit më parë policia së bashku me FBI-në arrestuan një mikro-celulë të përbërë nga tre elementë, të cilët ishin duke përgatitur një sulm në Oslo.

Ky historik bëhet nga mediat ndërkombëtare, kryesisht ato amerikane ku thuhet se në krye të këtij operacioni ishte një anëtar i pakicës myslimane kineze të ujgurëve, që u përgjigjej dy anëtarëve të Al Kaedas. Njëri prej tyre u eliminua më vonë nga një sulm amerikan.

Edhe ky sulm ishte lajmëruar se do të ndiqte të njëjtën rrugë si operacioni i sulmeve të 11 shtatorit të Osama Bin Laden.

Autorët e sulmit- Siç raporton televizioni publik NRK, i dyshuar për këtë sulm dyshohet të ketë qenë një grup i Xhihadit, i njohur si “Mbështetësit global të Xhihadit”, duke u komentuar shpërthimi si një akt hakmarrje për publikimin publik të karikaturave të Muhamedit.

Ndërkaq deri tani ky grup terroristësh të panjohur me parë, janë të vetmit autor të dyshuar të paktën publikisht.

Sipas policisë dyshohet se ky sulm është shkaktuar si pasojë e një autobombe, ku sipas pamjeve të kamerës së sigurisë, një makinë e madhe është parë të kalojë para godinës së qeverisë vetëm pak minuta para shpërthimit.

Policia- Nga ana e policisë në vijimësi është thënë se dy ngjarjet të cilat tronditën jo vetëm Norvegjinë por edhe mbarë botën, kanë lidhje njëra me tjetrën, duke lënë të hapur pistën se vendi i tyre ishte vënë në shënjestrën e sulmeve terroriste.

Nga ana e tyre u konfirmua se nga sulmi i parë afër godinës së qeverisë mbetën 7 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, ndërsa nga sulmi i dytë ai me armë raportohen të jenë shënuar 5 viktima.

Sakaq pavarësisht çdo dyshimi emri i autorit që tronditi një shtet, duket se do të kërkojë kohë që te zbardhet plotësisht.

a.y/NOA

KOMENTE