Nga The Washington Post” Administrata e Obamës po “feston në heshtje” suksesin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit. Republika Islamike po përballet gjithnjë e me më shumë vështirësi në sigurimin e importit, përfshirë dhe ushqimet. Miliarda dollarë në projektet e investimeve të huaja janë anuluar dhe vetëm disa banka, kompani të sigurimeve apo firma transporti janë të gatshme të bëjnë biznes me Teheranin. Ka edhe shenja të stresit politik. Presidenti Mahmud Ahmadinexhad ka mosmarrëveshje të ashpra me klerikun konservator dhe me shumicën e Parlamentit. Ahmadinexhad duket se ka humbur mbështetjen e liderit suprem, Ajatollah Ali Khamnej. Në anën tjetër, aleati më i ngushtë i Iranit – regjimi sirian i Bashar al-Asadit – po shkon drejt zbehjes, duke rritur mundësitë që pikëmbështetja e vetme e Iranit në Lindjen e Mesme Arabe do të reduktohet në një milici të izoluar të Hezbollahut. Andaj, Shtëpia e Bardhë nuk duhet t’i kursejë dollitë për këto zhvillime, sepse administrata ka punuar shumë dhe relativisht në mënyrë efektive për t’i bërë sanksionet të funksionojnë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet një realitet kokëfortë: Nuk ka pasur ndonjë ndryshim në përpjekjet e Iranit për armë bërthamore apo në përpjekjet e tij agresive për të përzënë Shtetet e Bashkuara nga Lindja e Mesme. Muajin e kaluar, ai i bëri publike planet për të trefishuar kapacitetin e prodhimit të uraniumit të pasuruar në nivelin 20 për qind – një shkallë shumë më e lartë e përpunimit sesa që është e nevojshme për të prodhuar energji bërthamore. Diplomatët dhe ekspertët perëndimorë thonë se Irani po përgatitet – dhe mund të ketë filluar të instalojë një seri të re të centrifugave të fuqishme, në një fabrikë të ndërtuar në një mal, pranë qytetit Kom. Siç ka shkruar edhe sekretari i jashtëm britanik, Uilliam Hejg, javën e kaluar, do të duhen vetëm dy-tre muaj për ta shndërruar uraniumin e pasuruar në Kom në material bërthamor. Kjo do të thotë se Irani mund të ketë kapacitet për të prodhuar armë, kurdo që ai vendos ta bëjë një gjë të tillë. Hejg i ka thënë Parlamentit britanik se Irani ka testuar fshehurazi raketa me rreze të mesme veprimi. Britania beson se ka pasur tre teste të tilla që nga tetori i vitit të kaluar. Ndërkohë, militantët e mbështetur nga iranianët kanë nisur një ofensivë të re kundër forcave të Shteteve të Bashkuara në Irak. Sipas sekretarit të mbrojtjes, Leon Paneta, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, Teherani i ka furnizuar me raketa të sofistikuara dhe bomba për të sulmuar trupat amerikane, 15 nga të cilët janë vrarë vetëm gjatë qershorit. Aftësia e Iranit për të mbështetur programin e tij bërthamor dhe ndërhyrjen e tij në Irak pasqyron faktin se këto nisma janë të kontrolluara nga Garda Revolucionare, e cila nuk është prekur nga lufta politike në Teheran dhe ka qasjen e parë në të ardhurat e naftës, të cilat Irani vazhdon t’i korrë. Vështirësitë ekonomike dhe politike po ashtu nuk kanë pasur ndonjë ndikim të dukshëm te zoti Khamnei. Rrjedhimisht, kërcënimi nga Irani nuk është pakësuar, por është në rritje. Ku është politika për ta shndërruar atë në trend alarmant?