Ky është një yll polar që udhëheq e do të udhëheqë të gjithë politikën tonë. Ndaj dua t’ju falënderoj shumë për këto reforma që keni mbështetur e votuar dhe t’ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që këtë sistem ta bëjmë gjithnjë e më popullor. I tillë është ky. Janë reformat ato që i kanë dhënë sistemit të lirisë, bazuar në ekonominë e tregut, përjetësinë
Nga Sali Berisha
Mendoj se ligjet që ju keni votuar, ligjet që ju keni miratuar kanë qenë ligje me impakt direkt në xhepin, në jetën e çdo qytetari shqiptar sot.
Ju, dy, tre muaj më parë votuat faljen, e cila nuk u shndërrua dot në amnisti, por ju shfrytëzuat hapësirat ligjore për ti dhënë asaj përmasat më të gjera, nuk u shndërrua dot në amnisti, për shkak të një qëndrimi konstant politik të drejtuesve aktual të opozitës shqiptare, të cilët besojnë se jo votimi, qoftë dhe në interesin më jetik të qytetarëve që përfaqësojnë, por bllokimi dhe vetëm bllokimi, duke besuar verbërisht se në këtë mënyrë i afrohen më shpejt karrigeve të amëshuara, por ju mençurisht me përkushtim i dhatë faljes, përmasat më të mëdha të mundshme.
Dua të informoj këtu, se vetëm nga falja e detyrimeve në energji elektrike dhe ujësjellës kanë përfituar mbi 260 mijë familje shqiptare, kanë përfituar jo më pak me një borxh mesatar prej 1400 dollarë, akumuluar gjatë viteve të periudhës së vështirësisë. Pra shqiptarët janë qytetarët më korrekt ndaj borxhit si i tillë, por pamundësitë e mëdha, dissociimi i madh midis të ardhurave të tyre dhe çmimeve te tregut, skema jo e përshtatshme e mbrojtjes së tyre bëri që këto familje të bien në një borxh që nuk e perballonin dot, ndaj dhe unë e konsideroj këtë një akt madhor në të mirë të portofolit, të xhepave, të kontove të 260 familjeve shqiptare. Qindra, mijëra familje të tjera përfituan nga falja fiskale. Unë ftoj qytetarët që ashtu siç kanë nisur të legalizojnë pa asnjë hezitim të gjitha pasuritë e parashikuara në ligjin e faljes, fakti është se fluksi po rritet, por uroj që qytetari i fundit i këtij vendi të përfitojë në një kohë sa më të shkurtër nga ky ligj.
Falja është dhunti e një shteti që funksionon, e një ligji që funksionin, është virtyt i një kodi moral, të çdo individi, të çdo shoqërie, të çdo shteti demokratik.
Pas kësaj pakete, ju votoni sot dhe keni diskutuar një paketë të dytë dhe kjo me një impakt direkt në portofolin, në të ardhurat, në punësimin e qytetarëve shqiptarë. Ju votoni sot, heqjen e një takse të rëndë për automjetet, nga e cila do të përfitojnë qindra dhe mijëra shqiptarë, që sot gëzojnë automjetin dhe unë mendoj që ky është një veprim jashtëzakonisht i drejtë.
Sot, ne votojmë së bashku heqjen e tarifës së mallrave të importuara për industrinë e veshjeve. Edhe kjo ka dy implikime shumë të mëdha, së pari fuqizimin e kësaj industrie dhe në një mënyrë ose në një tjetër tamponimin e rritjes së vazhdueshme të çmimit të veshjeve. Veshjet i kushtojnë çdo njeriu. Natyrisht secili i blen ato sipas mundësisë, por mirë është që secili ti blerë me çmimet më të arsyeshme të mundshme. Ka dhe nga ata që sjellin “Brioni” me xhet special, por ata janë ekzotikë. Shqiptari i zakonshëm vishet mirë, thjesht dhe ëndrrat me “Brioni” dhe kostume 20 mijë dollarëshe u mbeten vetëm atyre që pasurohen duke fjetur. Është ajo kategori njerëzish që nuk bëjnë asgjë, por kontot bankare ju fryhen çdo natë.
Me këtë vendim që merrni sot, ju i krijoni mundësi të mëdha industrisë së tekstileve dhe këpucëve që funksionon me Fason që të shndërrohet tërësisht në industri shqiptare. Me këtë vendim që merrni sot, ju grishni, pasi është mesazhi më i shkëlqyer që ju i dërgoni sot, investitorëve të kësaj industrie themelore, shumë të rëndësishme, që nga vendet fqinje dhe vende të tjera të vijnë në Shqipëri, në vendin me kushtet më të favorshme.
Me këtë vendim që merrni sot, ju bëni të mundur krijimin e mijëra dhe mijëra vendeve të reja pune, nga kjo industri, në të cilën Shqipëria në rrafshin ndërkombëtar po merr një peshë gjithnjë e më të madhe.
Por ky vendim është gjithashtu i domosdoshëm, pasi qeveria vendosi dje të rrisë rrogën minimale në 220 dollarë. Rritje kjo e domosdoshme për këta punëtorë, me një punë relativisht të vështirë. Ky është një hap tjetër shumë i rëndësishëm. Ne kemi dhe do të kemi përparësi madhore rritjen e rrogave në këtë vend. Ne do të bëjmë gjithçka për një rritje të pandërprerë të rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve. Shqipëria nuk është më një vend me ardhura shumë të ulëta, as të ulëta, as edhe të mesme, por është një vend me të ardhura të mesme të larta. Ndaj ne duhet të ndjekim e do të ndjekim këtë politikë.
Zotërinj deputetë, mbrëmë po lexoja një raport të PNUD-it për Shqipërinë, për vitin 2000. Sipas këtij raporti, rroga mesatare në vitin 2000 ishte gjithsej 119 dollarë dhe sot, rroga mesatare është 530-540 dollarë. Ne, faktikisht, dyfishojmë rrogën minimale, në raport me rrogën mesatare që ka ekzistuar dhjetë vjet më parë dhe kjo është meritë e reformave të mëdha që ju, zotërinj deputetë, keni votuar gjatë këtyre viteve. Reforma që kanë bërë të mundur si në asnjë vend tjetër, të dyfishohen të ardhurat nga tatimet e doganat nga 97 miliardë lekë në vitin 2004, në 188 miliardë në vitin 2009 dhe rritja vazhdon. Politika e rritjes së rrogave është dhe do të mbetet politikë konstante. Ju votuat buxhetin, në të cilin ne, sërish, rritëm rrogat e pensionet. Ne shkurtuam shpenzime të tjera të burokracisë shtetërore, por ecëm në kah të kundërt me këtë, me rrogat dhe pensionet.
***
Ju keni votuar gjatë këtij sesioni, në këtë parlament, me dhjetëra e dhjetëra ligje të tjera, por u ndala para së gjithash tek ato ligje që kanë të bëjnë direkt me portofolin, llogarinë dhe xhepin e familjeve shqiptare. Unë jam këtu për të garantuar qytetarët shqiptarë se qeveria ka marrë dhe ndërmerr reforma të vazhdueshme, me të cilat përpiqet me të gjitha mënyrat ligjore, për të ulur shpenzimet e domosdoshme të tyre në shërbime, në mënyrë që kostoja e jetesës që natyrshëm nuk vjen duke u ulur, por të paktën të mund të frenohet sa të jetë e mundur e më shumë rritja e saj dhe të mund të përshtatet me të ardhurat.
Në këtë kontekst, ndërhyrje të fuqishme janë bërë në telefoninë celulare. Ju garantoj se çmimet aktuale janë 60 deri 80 përqind më të ulëta, sesa dy vjet më parë dhe buxheti i shtetit ka pasur një rënie të të ardhurave prej tyre. Vëllimi i veprimtarisë së kësaj industrie është rritur vitin e kaluar me 39 përqind, por të ardhurat në buxhet jo, sepse ka pasur rënie të ndjeshme çmimesh dhe do të ketë rënie të tjera çmimesh. Ne insistojmë e persistojmë të ketë rënie të tjera çmimesh. Solla në vëmendje telefoninë celulare, pasi pasioni i qytetarëve shqiptarë për të pasur kompjuter në xhep është për t’u admiruar, për t’u përshëndetur e përgëzuar. Unë dua t’i garantoj se jemi në hapa të tjerë shumë të rëndësishëm, në të cilët ata do të mund të marrin në aparatet e tyre internetin me shpejtësi shumë më të madhe se sot. E afërt do të jetë edhe dita, kur Shqipëria të mbulohet me rrjete kompetitive 3G e 4G. Ne po bëjmë gjithçka që interneti me bandë super të gjerë të shkojë në çdo qoshe të vendit.
Ne kemi vendosur të parin qytetarin dhe ky nuk është një slogan elektoral. Jo! Ky është një yll polar që udhëheq e do të udhëheqë të gjithë politikën tonë. Ndaj dua t’ju falënderoj shumë për këto reforma që keni mbështetur e votuar dhe t’ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që këtë sistem ta bëjmë gjithnjë e më popullor. I tillë është ky. Janë reformat ato që i kanë dhënë sistemit të lirisë, bazuar në ekonominë e tregut, përjetësinë.
* Nga fjala e kryeministrit në seancën parlamentare, e fundit për këtë sesion