English

Dhuna seksuale ndaj të miturve, CRCA/DCI: Prokuroria të hetojë rrjetet e pedofilëve

Tiranë, 23 korrik 2011 – Dhunimi seksual dhe i përsëritur i të miturit nëntë-vjeçar nga Korça i njohur si rasti ‘Ajdinolli’ që tronditi opinionin publik pak ditë më parë është bërë shkas që Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme të hapë një hetim të menjëhershëm kombëtar mbi rrjetet e pedofilëve në vend dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve në Shqipëri.

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri - CRCA/DCI shprehu shqetësimin mbi rasten e dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve.

Kjo qendër e ngre apelin e saj ndaj Prokurorisë duke iu referuar rastit më të fundit, të djalit 9-vjeçar nga Korça, i cili, sipas raporteve në media, shfrytëzohej nga daja i tij për qëllime përfitimi duke ofruar shërbime seksuale.

Sipas Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve rasti i të miturit nga Korça është një tregues i frikshëm se mirëqenia e fëmijëve rrezikohet seriozisht nga të rriturit.

CRCA/DCI ngre dyshime mbi ekzistencën e një rrjeti të organizuar pedofilie në vend.

Në këtë pikë kjo qendër ngre shqetësimin se Prokuroria dhe Policia e Korçës nuk po e trajtojnë seriozisht këtë ngjarje të rëndë.

“Ndonëse kanë kaluar më shumë se tri ditë nga arrestimi i dajës së fëmijës, as Prokuroria dhe as Policia nuk kanë njoftuar arrestimin e ndonjë personi që ka patur marrëdhënie seksuale me fëmijën. Mungesa e informacionit dhe e të dhënave në lidhje me rastin “Ajdinolli”, sidomos nga ana e Prokurorisë, hedh dyshime nëse ky rast është duke u marrë në konsideratë dhe duke u trajtuar seriozisht nga ana e punonjësve të shtetit shqiptar”, thuhet në deklaratën e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri - CRCA/DCI.

Sipas kësaj qendre duke iu referuar historikut të rrjeteve të pedofilëve në vende të tjera, grupe të tilla veprojnë në mënyrë të organizuar dhe kanë një sistem të konsoliduar të shkëmbimit të informacionit apo edhe mbrojtjes së identitetit të pjesëmarrësve në të.

Nisur nga kjo, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/DCI Shqipëri), është e shqetësuar se “terri informativ që po shoqëron rastin “Ajdinolli” vetëm rrit ankthin e publikut të gjerë në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në Shqipëri”.

Në këtë aspekt ajo i bën thirrje medias të fokusohet në investigimin e personave dhe rrjeteve që shfrytëzojnë fëmijët për qëllime seksuale, duke hetuar në detaje për gjetjen e personave që mund të kenë kryer krime seksuale ndaj fëmijëve.

“Kodi Penal ndëshkon rëndë këdo që ka patur marrëdhënie seksuale me të mitur dhe të gjithë kryerësit e krimeve të tilla duhet të izolohen dhe të identifikohen, në mënyrë që të mos përbëjnë rrezik për qindra-mijëra fëmijë të tjerë”, deklarohet më tej.

CRCA/DCI kërkon marrjen e masave të menjëhershme hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave që kanë lidhje me rastin “Ajdinolli”, pasi çdo vonesë proceduriale vë në rrezik jetën e fëmijëve të tjerë, që mund të jenë po aq të ekspozuar për shkak të situatës në të cilën ata ndodhen.

CRCA/DCI Shqipëri bën thirrje për ngritjen e një sistemi funksional të mbrojtjes së fëmijëve kudo në Shqipëri.

Ajo i bën thirrje të gjithë viktimave të dhunës seksuale apo publikut të gjerë, që ka informacione për individë që kanë kryer krime seksuale ndaj fëmijëve, t’i denoncojnë ato pranë Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë - ALO 116 apo tek numrat falas të Policisë së Shtetit (129), pasi veprime të tilla mund të ndikojnë seriozisht në shkatërrimin e jetës dhe mirëqënies së fëmijëve kudo në Shqipëri.

mit/NOA

KOMENTE