English

Këshilla e Berishës: PS të mos bëjë opozitë me renegatët e mi

Tiranë, 23 korrik 2011, NOA Update – Pasi e cilësoi kundërshtarin e tij politik, si mjeshtër të projektimit të disfatave vetjake njëra-pas tjetrës, lideri i demokratëve Sali Berisha e këshilloi Partinë Socialiste që të mos bëjë opozitë me renegatë të Sali Berishës, pasi në këtë mënyrë ka të sigurt vetëm ecjen së prapthi drejt së shkuarës.

Këtë këshillë Kryetari i Partisë Demokratike e dha gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Këtu shefi i PD-së deklaroi se zërat opozitarë janë ngushtuar në një qerthull të ngushtë personash pranë Edi Ramës, të cilët nuk janë socialistë, por renegatë të tij.

“Unë po shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje mbështetësve, anëtarëve, simpatizantëve e drejtuesve tanë të mos konfondojnë qytetarët, mbështetësit e zgjedhësit e Partisë Socialiste apo partive të tjera opozitare, me qëndrimet e një grushti të ngushtë personash të Edi Ramës, të rrethuar nga renegatë të Sali Berishës. Ju konstatoni se prej muajsh të tërë nuk ka më zëra socialistësh, por vetëm Preçi im, Taku im, tjetri im etj..”, tha kreu i demokratëve.

Sipas kryeministrit Berisha kjo përbën një fatkeqësi kombëtare, pasi këta renegatë të tij nuk bëjnë opozitë për çështje kyçe dhe ideologjike, ashtu siç do të ishte në nderin e një opozite, por kanë vetëm një pakënaqësi, atë vetë, Sali Berishën.

“Unë nuk kam gjë me këtë, por problemi është se ajo është forcë kryesore politike opozitare dhe një forcë politike opozitare ka shtyllat e veta, ka njerëzit e besimit të vet, ajo është edhe parti ideologjike e ka ideologët e vet, të cilët nuk lejohen më në media. Dhe kjo, sepse nuk bilbilojnë si renegatët e mi. Shpresoj dhe uroj që Partia Socialiste të kujtohet se me këta dhe doshët ecën drejt të shkuarës së sigurt. Nuk është as interesi i vendit, as interesi i këtyre, por çdo gjë mund të bëj, por këshilltar i tyre nuk mund të bëhem”, deklaroi shefi i PD-së.

Kryeministri Berisha ripërsëriti sakaq gjatë analizës së zgjedhjeve vendore të 8 majit se Partia Demokratike dhe aleatët e saj morën rreth 140 mijë vota më shumë, sesa aleanca për të shkuarën, siç e quajti ai “Aleancën për të Ardhmen”.

“Morën 41 mijë vota më shumë për kandidatët e saj, sesa kandidatët e aleancës së vetmisë, morën 43 mijë vota më shumë në qytetet e vendit, sesa aleanca e kazanit, morën në Tiranë 10 909 vota më shumë. Të gjitha këto, Partia Demokratike i merr si një shkallë përgjegjësie të lartë”, tha kreu i mazhorancës.

Ai i bëri rishtas ftesë kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama që të bashkëpunojë me mazhorancën për reformat e rëndësishme në vend, duke i garantuar qytetarët se çdo përpjekje për bashkëpunim do të bëhet në respekt të plotë të ligjit dhe Kushtetutës së vendit.

“Asnjë person, asnjë qeveri, nuk i kërkon zotit Rama të njohë vetëm votën që merr pro dhe të vërsulet kundër votës kundër. Jo! Kjo është pjesë e jona. Ndaj dhe ne qëndrojmë të hapur. Ftesën e zotit Patozi e refuzuan. Ftesa të tjera do të bëhen, Ndën Zotin dhe Kushtetutën, ishte parimi i atyre që ndërtuan demokracitë më të mrekullueshme. Ne qëndrojmë të gatshëm për reforma, qëndrojmë të hapur për dialog, por qëndrojmë të vendosur gjithashtu, në zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit”, tha zoti Berisha.

Ai e garantoi liderin e opozitës se do të jetë luajal ndaj ligjeve, vlerave e Kushtetutës së vendit.

“Ne kemi moto kryesore reformat, kemi frymëzim dhe projekt kryesor integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Natyrisht, ne nuk mund të udhëheqim opozitën dhe nuk do të bëjmë kurrë tentativa për të udhëhequr opozitën”, nënvizoi kryeministri, duke theksuar se “Ne nuk mund të bindim zotin Rama se zgjedhësit e tij kanë votuar për të dhe deputetët e tij jo për të përdorur pushtetin për bllokim, por për votim”.

Këtu ai theksoi se zoti Rama ndjehet më i rëndësishëm kur bllokon, sesa kur voton.

“Besoj se rruga e krijimit të kredibilitetit, besimit tek qytetarët është jo bllokimi, por ushtrimi i pushtetit në funksion të alternativës”, tha kryeministri, duke hedhur poshtë deklaratën e Edi Ramës se “strategjia e bojkotit dha dhe jep rezultat”.

mit/NOA

KOMENTE