Oslo, 23 korrik 2011, NOA Update – 85 është bilanci i të vrarëve në ishullin norvegjez të Utoya-s, pas breshërisë vrastare të ushtruar me gjakftohtësi nga ekstremisti norvegjez 32-vjeçari Anders Behring Breivik, që bashkë me 7 personat e vdekur pas shpërthimit në qendër të Oslos e çojnë në 92 gjithsej numrin e viktimave të aktit terrorist të dyfishtë që shokoi Norvegjinë dhe botën mbarë.
Një zëdhënës i policisëe norvegjeze bëri me dije se bilanci i të rinjve të vrarë në ishullin e Utoya-s u rrit edhe me një person, pasi njëri prej të plagosurve nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital.
Sipas të përditshmes norvegjeze Aftenposten bëhet me dije se më se 20 persona janë shtruar në spital dhe janë në gjendje kritike pas sulmeve të djeshëm në Oslo dhe Otoya.
Autoritetet thonë se 30 është numri i të plagosurve në gjendje të rëndë që po marrin mjekim në spital, ndërkohë që 20 prej tyre i ndan vetëm një fije jetë nga vdekja.
Policia norvegjeze arrestoi për sulmet vrastare 32-vjeçarin norvegjez Anders Behring Breivik, i cili akuzohet për shpërthimin e bombës dje në qendër të kryeqytetit Oslo si dhe për terrorin e ushtruar në ishullin e Utoya-s ku nën breshërinë e armës ai vrau gjakftohtë 85 vetë.
Breivik rrëfeu gjatë marrjes në pyetje se ishte ai autori i masakrës në ishullin e Utoya-s, i arrestuar nga policia pa bërë as më të voglën rezistencë, një orë e gjysmë pasi kreu pa iu dridhur qerpiku masakrën në ishullin ku ishin kampuar të rinjtë laburistë.
Një sulm i tillë terrorist erdhi pikërisht prej një personi i shfaqur madje në internet si një fondamentalist i krishterë, që sipas kreut të policisë norvegjeze është i orientuar politikisht për nga e djathta.
Kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg gjatë konferencës për shtyp mëngjesin e sotëm tha se nuk donte të bënte asnjë deklaratë lidhur me arsyet e masakrës.
“Krahasuar me vendet e tjera, nuk do të thoja se kemi shumë probleme me ekstremistët e djathtë. Por, janë disa grupe, të cilët i kemi ndjekur në të shkuarën dhe për ekzistencën e të cilëve policia është në dijeni”, tha kryeministri norvegjez.
Sipas policisë autori i dyshuar për shpërthimin në Oslo kishte blerë tonelata plehrash kimike në dyqanet që shesin produkte bujqësore pranë magazinës Felleskjopet në Rena.
Një zyrtar i policisë që ka izoluar zonën saktësoi se shumë kuintalë plehrash kimike janë gjetur ende në fermën e marrë me qera nga autori i masakrës Breivik.
Sipas policisë bomba që shpërtheu në qendër të Oslos dhe që mori jetën e shtatë personave ishte e prodhuar me dorë në fermën në Asta, pronë e Anders Behring Breivik.
Agjencia italiane ANSA i referohet këtu radios norvegjeze P4.
Gjithashtu shitësit e magazinës konfirmuan se 32-vjeçari ekstremist kishte porositur gjashtë ton plehra kimike, tre prej të cilave nuk janë përdorur.
mit/NOA