Norvegji, 23 korrik, NOA - Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur kryeqytetin e Norvegjisë, Osll, duke vrarë të paktën shtatë persona dhe dëmtuar disa ndërtesa, përfshirë dhe zyrat e kryeministrit Jens Stoltenberg. Ndërsa pak orë më pas, një 32-vjeçar i armatosur do të kryente një masakër në një kamp fëmijës në një ishull rreth 30 kilometra larg Oslos, duke vrarë rreth 90 persona.
Sulmi afër kryeministrisë
Sekretari norvegjez i Shtetit, Hans Kristian Amundsen, i tha CNN-it se kryeministri nuk ishte në ndërtesë në kohën e shpërthimit.
"Mund të konfirmoj se kryeministri është i sigurt. Ai nuk ishte në zyrë dhe tani është duke punuar", tha Amundsen. Në një deklaratë dhënë televizionit publik të Norvegjisë, kryeministri Stoltenberg tha se “sulmi ishte serioz”, por theksoi se është herët të quhet sulm terrorist.
Stoltenberg tha se policia e kishte këshilluar të mos tregonte vendin nga fliste.
Sipas agjencisë norvegjeze të lajmeve NTB, policia ka konfirmuar se sulmi është shkaktuar nga bomba. Deri më tash, asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjen, e cila ka ndodhur rreth orës 3.30 të pasdites.
Burimet në Spitalin Universitar të Osllos i raportuan agjencisë Reuters për shtatë të plagosur, që kanë arritur për trajtim në këtë qendër. Shkalla e lëndimeve të tyre nuk ishte e qartë.
Dëshmitari Ole Tomi Pederson tha se po qëndronte në stacionin e autobusit, rreth 100 metra larg ndërtesës së qeverisë, e cila përmban dhe zyrën e kryeministrit. Ai tha se të gjitha dritaret ishin shkatërruar dhe se tymi kishte përfshirë çdo gjë. Një turist amerikan, Nik Soubi, ishte gjithashtu pranë në kohën e shpërthimit.
“Ne ishim rreth 50 metra larg vendit ku ka ndodhur shpërthimi, ishte e pabesueshme, si një lëvizje e ngadaltë, ishte si një dallgë e madhe që pothuajse rrëzoi karriget tona. Ishte vetëm një tym i zi në ajër. Të gjithë ndaluam dhe nuk kishim asnjë ide se çfarë po ndodhte. Ishte shumë e frikshme”, tha dëshmitari amerikan.
Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar ashpër sulmin, duke e quajtur “një akt të neveritur të dhunës”. Uashingtoni është shprehur i gatshëm të ofrojë ndihmë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet norvegjeze.
Nga shpërthimi ka pësuar edhe zyra e gazetës më të madhe norvegjeze “Aftenposten”. Gazeta është njëra nga botimet e shumta evropiane që, disa vjet më parë, ribotoi karikaturat e profetit Muhamed, pasi një gazetë daneze ishte në shënjestër të kërcënimeve për botimin e tyre. Autoritetet në Danimarkën fqinje thonë se kanë penguar disa komplote terroriste që kishin lidhje me botimin e këtyre karikaturave në vitin 2005, e që shkaktuan protesta në shumë vende myslimane.
Komplote të ndërlidhura me rrjetin terrorist të Al Kaidës ka parandaluar edhe Norvegjia.
Vendi skandinav, anëtar i NATO-s, ka qenë disa herë objekt i kërcënimeve, sidomos për shkak të përfshirjes në konfliktet në Afganistan dhe Libi.
Autori i masakrës
Por bilanci më tragjik lidhet me ngjarjen në ishullin Utoeya. Të paktën 80 perosna raportohen të vrarë nga 32-vjeçari i arrestuar. Sipas mediave norvegjeze ai është 32 vjeçari Anders Bering Breyvik. Mendohet se autori i sulmit kishte lidhje me ekstremistët e krahut të djathtë. Ai mendohet se ka arritur në ishulli i maskuar si një përfaqësues i policisë. Ai ka hapur zjarr, pasi u ka thirrur disa të rinjve në gjuhen norvegjeze. Ndërkohë që, po sipas medieve norvegjeze, ai mendohet të ketë qenë dhe në vendin e shpërthimit të bombës, dy orë para ngjarjes. Në ishull u vranë 80 persona dhe 7 të tjerë janë vrarë në qendër të Oslo, ku shpërtheu bomba. Anders Behrin Breivik, ka ide të djathta ekstreme dhe është anti-islamik. Në faqen e tij në Facebook, vrasësi i dyshuar e përshkruan veten si konservator, me besim kristian. Ndërsa mesazhi i tij i publikuar së fundmi në Twitter është një citim i një filozofi anglez, John Stuart Mill: “Një person me një besim, objektiv ka forcë më shumë se 100 mijë persona që nuk kanë asnjë interes".
a.k/NOA/RFE