Tiranë, 23 korrik 2011, NOA- Vetëm pak minuta më parë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka nisur votimi për zgjedhjen e emrave të kryesisë së re.
I pari që ka hedhur votën në emrat e 40 kandidatëve të propozuar ka qenë kreu i kësaj partie, njëherësh kryeministri i vendit Sali Berisha.
Pritet që nga ky votim të zgjidhen 26 anëtarë me në krye kreun e selisë blu, të cilët do të formojnë edhe kryesinë e re të partisë
Ndërkaq ndër emrat e propozuar për të qenë pjesë e kryesisë janë, Astrit Patozi, Aldo Bumçi, Eduard Halimi, Gazmend Oketa, Gent Strazimiri, Bujar Nishani, Genc Pollo, Edit Harxhi, Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj, Lulzim Basha, Jozefina Topalli, Mark Marku, Majlinda Bregu, Rajmonda Bulku, Mesila Doda, Sokol Olldashi, Ardian Turku etj.
Vetëm pak para se të fillonin votimet kreu i PD-së dha 15 minuta pushim në rast se ishte e nevojshme të bëheshin propozime të reja, por edhe pas këtij pushimi, propozime nuk pati gjë që bëri që nga emrat e lexuar nga Kryeministri Berisha të dalë edhe kryesia e re e selisë blu.
a.y/NOA