Vlorë, 23 korrik 2011, NOA- (Update) Policia e Vlorës ka reaguar lidhur me shpërthimin e ndodhur në katin e nëntë të një apartamenti ku ka ngelur i plagosur rëndë një 41 vjeçar.
Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia” në qytetin e Vlorës, në afërsi të vendit të quajtur “Albano& Romina” në katin e nëntë të një pallati.
Pas sinjalizimit për këtë rast menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë konstatuar brenda në banesë një person të dëmtuar i cili është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të qytetit të Vlorës në gjendje të rendë për jetën.
Nga ana e efektiveve i dëmtuari u identifikua si Nazmi Barjam Alliaj, 41 vjeç, lindur në Selenicë dhe banues në lagjen “Kushtrimi” të qytetit të Vlorës.
Theksohet se i dëmtuari kishte rreth dy javë që kishte marrë me qira banesën ku ndodhi ngjarja ku dhe qëndronte përkohësisht vetëm.
Ndërsa i plagosuri është dërguar në spital bëhet e ditur se si rezultat i shpërthimit, personit i janë shkaktuar dëmtime të rënda të gjymtyrëve të krahëve dhe pjesës së kokës, ndërsa nga shpërthimi i ndodhur është dëmtuar pjesërisht edhe banesa.
Gjithsesi në këtë komunikimi të policisë nuk bëhen të ditura arsyet e shpërthimit dhe as autorët e mundshëm të vendosjes së eksplozivit.
a.y/NOA