English

Poshtërimi i viktimave nga drejtësia

Nga Mero Baze

Zëvendëskryeministri Ilir Meta po përpiqet të mbulojë me zhurmë procesin e degradimit të gjyqit të tij në Gjykatën e Lartë, duke bërë komente rreth akteve procedurale të prokurorisë. Ndërsa gjyqi i tij po hyn në spiralen e dështimit si proces, i pandehuri kryesor i këtij procesi duket se kërkon të tërheq vëmendjen duke u përpjekur të marrë rolin e viktimës, ndërkohë që po shpëton pothuajse pa u gjykuar nga mënyra se si po devijon procesi. Konkretisht, Gjykata e Lartë po shmang dëshmitarin kryesor të akuzës, Dritan Prifti, nga marrja në pyetje si detyrim për hetimin gjyqësor, dhe po vihet nën urdhrat e avokatëve mbrojtës të Ilir Metës, të cilët po diktojnë procedurën e hetimit gjyqësor, duke nxjerr në plan të parë ekspertizën e kasetës dhe jo dëshmitarin e akuzës. E thënë më thjesht, gjyqi ndaj Ilir Metës në thelb është një denoncim publik i bërë ndaj tij prej Dritan Priftit, i cili si dëshmi mbështetëse për ato që thotë ka dhe videon e regjistruar në zyrën e tij. Pra, prova dhe dëshmitar kryesor i akuzës është vetë Prifti. Ky proces nuk mund të përfytyrohet që të ecë normalisht nëse hetimi gjyqësor nuk nis në sallën e gjyqit me dëshminë e Dritan Priftit dhe dëshminë e Ilir Metës. Kaseta vlen vetëm për t’i kujtuar fizikisht të dy dëshmitarëve çfarë kanë harruar pa thënë nga ajo që ka ndodhur. Ajo që po bën Gjykata është shmangia e pyetjes së dëshmitarëve dhe humbja e kohës me riekspertim të kasetës, që është thjesht një mënyrë për të hequr zvarrë procesin dhe për ta mbyllur atë pa u marrë në konsideratë prova kryesore, që është dëshmia e Dritan Priftit.

Aq e koordinuar duket se është puna mes Gjykatës dhe Ilir Metës, sa ky i fundit del çdo ditë dhe zhurmon procesin duke krijuar idenë se po i bëhet ndonjë komplot nga Prokuroria, ndërkohë që çështja është në Gjykatë. Gjykata, e cila e ka të sanksionuar me ligj që radhën e procedimit në hetimin gjyqësor e dikton organi i akuzës, në të vërtetë ia ka deleguar këtë të drejtë organit të mbrojtjes, dhe tashmë në sallën e gjyqit në vend të akuzës gjykata përfill kërkesat e mbrojtjes për të ndryshuar procedurën e hetimit gjyqësor, ç’ka përbën shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës Penale.

Në të vërtetë i vetmi minim i këtij procesi deri tani po vjen nga Gjykata e Lartë, e cila ka tendencë të qartë për ta mbyllur procesin e hetimit gjyqësor pa përfillur provën kryesore, që është dëshmia e Dritan Priftit.

Por përtej këtyre manovrave banale procedurale, ajo që do të rëndojë gjatë pas këtij procesi gjyqësor është një fakt i rëndë që ka të bëjë me impaktin publik të asaj çfarë ka bërë ky skandal në shoqërinë shqiptare dhe çfarë po gjykohet nga drejtësia. Ka plot skandale që janë të forta, por nuk lënë gjurmë në shoqëri. Shikon për shembull deklaratat e pasurisë së Ministrave dhe duket qartë vjedhja dhe abuzimi, por nuk bën përshtypje. Nuk të bën përshtypje për shembull fakti që Genc Ruli është milioner dhe i ka fituar lekët nga “bonot e thesarit”, apo nuk të bën përshtypje që Argita dhe Shkëlzeni bëjnë lek njëri si sekser tokash, tjetra si gruaja e një burri. Nuk të bën përshtypje fakti që biznesmenët e mëdhenj të Familjes ndotin detin në mes të sezonit duke lëshuar naftë në Zvërnec, dhe as fakti që biznesmenë të tjerë, që xhirojnë miliarda, nuk paguajnë tatime. Ka po ashtu skandale që kanë të bëjnë me dështimin tonë evropian, me mosmarrjen e statusit për vend kandidat për anëtare të BE, ka dështime që lidhen me grabitjen e vjedhjeve në Tiranë, dhe deri tek skandali tragjikomik i Haxhinastos në Bruksel, që shoqëria jonë e tejngopur me të tilla i gëlltit në heshtje. Por skandali i Ilir Metës ka qenë ndryshe. Ai skandal ka ngritur në këmbë shqiptarët dhe ka detyruar Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën, të trembur për vdekje nga rrëzimi i mundshëm nga pushteti, të hapin zjarr dhe të vrasin katër qytetarë, vetëm për të mbrojtur këtë skandal. Pra, ndryshe nga çdo skandal tjetër në historinë e hajdutëve serial shqiptarë, skandali Meta nuk ka vetëm faturë financiare, por ka një faturë tragjike me katër viktima dhe dhjetë jetimë. Lulëzim Basha dhe Sali Berisha janë detyruar të vrasin për të mbrojtur këtë skandal. Bile në koshiencën kriminale të Sali Berishës, më i fortë se 21 Janari ishte 11 Janari, dita kur u shfaq kaseta. Aq e fortë ishte kjo, sa kur kërkonte tabulatet e gazetarëve, dhe sidomos ato të Filip Çakulit, nuk donte të dinte ku ishte më 21 janar, por me kë kishte folur më 11 Janar kur transmetoi kasetën.

Ndaj Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e cila po e degradon këtë proces, po injoron jo vetëm të vjedhurit e gjallë, por dhe të poshtëruarit e vdekur nga ky skandal. Mënyra si po e degradojnë procesin dhe si po nxitojnë të bëjnë sikur e gjykuan, sikur e hetuan, sikur e panë dhe sikur nuk gjetën asgjë të keqe, është shumë rrënuese për fuqinë e drejtësisë sonë për të vepruar ndaj atyre që na qeverisin. Ky degradim do të sanksionojë në Shqipëri klasën e qeveritarëve të paprekshëm dhe do ta kthejë drejtësinë në një sistem ndëshkimi vetëm për qytetarët. Një sistem ndëshkimi vetëm për ata që vriten pse protestojnë ndaj këtyre skandaleve. Një riposhtërim i atyre që nuk pranojnë të qeverisen nga këta njerëz.

*Pikëpamjet dhe faktet e pretenduara në shkrim, janë qëndrim dhe përgjegjësi ekskluzive e autorit.

KOMENTE