English

Shuhet Amy Winehouse, adhuruesit: Nuk do të të harrojmë kurrë

Londër, 23 korrik 2011, NOA Update – “Nuk do të të harrojmë kurrë në Camden. Të duam fort dhe do të vazhdojmë të të duam”, shkruhet në një prej shiritave të luleve të vendosura nga adhuruesit e Amy Winehouse pranë banesës së saj ku këngëtarja britanike u gjet e pajetë.

Pas mësimit të lajmit të vdekjes së këngëtares, e njohur për stilin e saj të veçantë e kundër rrymës, turma të adhuruesve të Amy Winehouse iu drejtuan shtëpisë së këngëtares në sheshin Camden duke vendosur tufa me lule, e qirinj nën shiritin e verdhë të policisë që ka bllokuar banesën e këngëtares së famshme.

Këngëtarja e famshme britanike Amy Winehouse u gjet e pajetë në apartamentin e saj në Londër.

Trupi i pajetë i 27-vjeçares me zërin karakteristik u gjet nga policia në apartamentin e saj në sheshin Camden në veri të Londrës.

Ishin punonjësit e pastrimit në apartamentin ku jetonte këngëtarja 27-vjeçare, që thirrën policinë pasi e gjetën të vdekur pasditen e sotme rreth orës 17.00.

Për policinë janë ende të paqarta arsyet e vdekjes së saj.

Burime nga Skynews thonë se Amy Winehouse ka vdekur nga overdoza.

Këto burime bënë me dije se kur mjekët kishin mbërritur në apartamentin e saj këngëtarja ishte në fund të jetës dhe përtej çdo shprese për ta rikthyer në jetë.

Por, duket se edhe miqtë e saj i trembeshin një vetëvrasjeje të saj me alkool, shkruan Daily Telegraph në sitin online.

“Kur pi ajo e humb totalisht kontrollin. Amy del gjithmonë jashtë kontrollit kur pi vodka, tri herë në javë ajo dehej deri sa humbte ndjenjat”, tha një miku i saj për Daily Telegraph.

Ndërkohë i ati i Amy-t, Mitch, u informua për vdekjen e të bijës dhe është duke u kthyer nga Nju Jorku ku do të këndonte në një festival jazz-i.

Një mesazh në sitin e klubit “Greenwich Village” shkruan se “Njoftojmë me dhimbje se performanca e Mitch Winehouse në 25 korrik anulohet për shkak të vdekjes së papritur të vajzës së tij, Amy”.

Amy Winehouse vetëm pak kohë më parë u fërshëllye në 18 qershor në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, në krye të turneut të saj europian.

Këngëtarja e njohur doli përpara 20 mijë adhuruesve të saj të mbledhur pranë kështjellës Kalemegdan, tërësisht e dehur dhe në vend se të këndonte me zërin e saj magjik ajo vetëm sa belbëzoi copëza nga këngët, duke mos arritur asnjë performancë nga ato që fansat e saj prisnin, madje as arriti dot të ndjekë muzikantët e saj.

Ky koncert i saj në Beograd, i cili rezultoi dhe i fundit për Amy Winehouse erdhi pak kohë pasi këngëtarja kishte përfunduar një kurë dezintoksikimi nga alkooli.

Pikërisht pas këtij dështimi mes fërshëllimash në Beograd u anullua edhe i tërë turi i saj në Europë, që pasoi daljen e saj nga skena të këngëtares britanike deri në humbjen përjetë, por jo të hiteve të saj që shënuan një kulm në muzikën pop.

mit/NOA

KOMENTE