Tiranë, 23 korrik 2011, NOA – Pas dy akteve terroriste që tronditën kryeqytetin e Norvegjisë Oslo dhe ishullin Utoeya, me një bilanc prej 92 viktimash, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi Kryetarit të Parlamentit të Norvegjisë, Dag Terje Andersen.
Në mesazhin e saj kryeparlamentarja Topalli shprehu dhimbjen për masakrën e dyfishtë që terrorizoi Norvegjinë në harkun e më pak se tri orëve e që u mori jetën 92 personave të pafajshëm.
“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, më lejoni zoti Kryetar t’Ju shpreh ngushëllimet e solidaritetin më të sinqertë, Juve dhe familjarëve, që humbën njerëzit e tyre më të dashur nga shpërthimi e terrori”, shkruan në mesazhin e saj zonja Topalli.
Ajo i shprehu homologut të saj norvegjez dhimbjen për aktet terroriste që shënjuan Norvegjinë, njërin nga vendet më të paqta e të drejta në botë.
“Të shokuar nga violenca dhe nga ky akt terrorist në zemrën e një vendi të admiruar për shpirtin e paqes e të drejtësisë, ne lutemi për shpirtin e të humburve por në të njëjtën kohë jemi po aq të vendosur për të vazhduar dhe për të mbështetur luftën kundër terrorizmit si lufte kundër së keqes në botë”, nënvizoi në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit.
Në fund të mesazhit ajo shprehu besimin se parimet e virtytet e sistemit të vlerave, do të fitojnë mbi të keqen.
Më herët edhe kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike me një homazh ndaj viktimave të sulmeve vrastare në Oslo dhe ishullin Utoeya, ku ishin kampuar të rinjtë laburistë, 84 prej të cilëve u vranë barbarisht me breshëri plumbash nga 32-vjeçari ekstremist.
“Një vend mik që ka mbështetur përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e sistemit demokratik, ka mbështetur fuqishëm vendin tonë në anëtarësimin e tij në Aleancën e Atlantikut të Veriut, u përball dje me një sulm barbar, terrorist. Sulm që këputi rreth 84 jetë të njoma të rinjsh, në një kamp veror dhe 7 qytetarë të tjerë në bllokun e ndërtesave qeveritare në Oslo”, u shpreh kryeministri Berisha.
Më pas për të nderuar kujtimin e 92 viktimave të pafajshme kryeministri dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike mbajtën një minutë heshtje.
mit/NOA