Tiranë, 23 korrik 2011, NOA – “Me dëshpërim të madh mësova për shpërthimin dhe aktet e terrorizmit, të cilët shkaktuan humbjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm dhe tronditën Norvegjinë, Europën dhe Botën”. E nisi kështu mesazhin e solidaritetit dhe ngushëllimit për viktimat e aktit terrorist që shokoi Norvegjinë, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
Në mesazhin drejtuar Kryeministrit të Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Stoltenberg, zoti Rama duke shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre, shkruan se “këto akte nuk janë drejtuar vetëm kundër Norvegjisë por kundër paqes dhe sigurisë, në Europë dhe më gjerë dhe janë tregues i faktit se elementët e terrorizmit mund të jenë të pranishëm edhe në vendet me paqe, stabilitet dhe demokraci të konsoliduar dhe të qëndrueshme dhe se ato mund të përballohen vetëm me përpjekje të koordinuara, të organizatave të sigurisë, ku dy vendet tona aderojnë”.
Shefi i opozitës shprehu bindjen se Norvegjia do të gjejë kurajën dhe forcën për të kapërcyer këtë moment të vështirë duke vazhduar angazhimet dhe kontributet e saj fisnike në ato rajone ku mbështetja e Norvegjisë është ende e nevojshme për të garantuar paqe, stabilitet dhe demokraci.
mit/NOA