Oslo, 24 korrik, NOA - Avokati i norvegjezit të dyshuar për bombën dhe vrasjet e së premtes thotë se klienti i tij i vlerëson veprimet e tij si të tmerrshme por të nevojshme.
Avokati mbrojtës Geir Lippestad tha dje se Anders Behring Breivik ka shprehur dëshirën t’i sqarojë veprimet e tij në gjykatë. Avokati tha se klienti i tij e ka pranuar përgjegjësinë për sulmet që shkaktuan vdekjen e 92 vetave. Por nuk dha hollësi të tjera.
Policia thotë se i dyshuari kryesor i sulmit është norvegjezi 32-vjeçar Anders Bering Breivik. Ata thonë se Breivik ka postuar komente të ekstremit të djathtë dhe anti-myslimane në internet.
Por në një konferencë për shtyp dje, kryeministri Jens Stoltenberg tha se është shpejt për të arritur përfundime mbi motivin e sulmit. "Në krahasim me vendet e tjera unë nuk mund të them se kemi problem me ekstremistët e krahut të djathtë në Norvegji. Por kemi disa grupe, të cilët i kemi ndjekur edhe më parë, dhe policia jonë ka dijeni për grupe të tilla Norvegji."
Dy sulme të dhunshme ndodhën dy ditë më parë. Në drekë të paktën një bombë shpërtheu pranë kryeministrisë në Oslon qendrore. Brenda pak orësh, të paktën një person i armatosur hapi zjarr në një kamp të rinjsh pranë ishullit Oteja.
Të rinj mes moshave 14 deri në 18 vjeç ishin mbledhur në një kamp veror të organizuar nga Partia Laburiste e kryeministrit. Ata ikën me vrap nga paniku kur personi i armatosur, i veshur si polic, hapi zjarr. Videot tregojnë trupat që lundronin në ujë rreth ishullit.
Agjencia kombëtare norvegjeze e lajmeve NTB tha dje se dëshmitarët në ishull i kanë thënë policisë se dy persona ishin të përfshirë. Ata thanë se personi i arrestuar ishte maskuar si polic, i veshur me xhup me emblemën e policisë në të, por i dyti jo.
Njoftimet e lajmeve në Norvegji thanë gjithashtu se bomba në Oslo ishte bërë me pleh kimik dhe një furnizues e lidhi kompaninë nën pronësinë e Breivik me blerjen e kimikateve. Kryeministri Stoltenberg thotë se vendi është i bashkuar në këtë tragjedi.
"Norvegjia është vend i vogël, por jemi krenar, dhe jemi të afërt me njëri tjetrin sidomos në ngjarje të tilla. Mendoj se të gjithë norvegjezët ndjehen shumë pranë viktimave të dhunës në Oslo dhe të rinjve në kampin e ishullit Oteja."
Dje, zoti Stoltenberg udhëtoi në një hotel pranë ishullit, ku ekipet e shpëtimit transportonin të mbijetuarit. Ndërkohë, ekipet e emergjencës në Oslo po kërkojnë ende për trupat dhe të mbijetuarit e shpërthimit masiv të bombës që dëmtoi kryeministrinë dhe Ministrinë e Financave.
Mikal Hem, një gazetar në Oslo i tha Zërit të Amerikës se shpërthimi u dëgjua shumë kilometra larg. "Ne dëgjuam një shpërthim dhe ndërtesa u trondit. Vrapova tek dritarja dhe pashë tymin që dilte nga kryeministrija." Ai tha se kur kaloi nga vendi më vonë pa ndërtesën e prishur. Zoti Hem thotë se norvegjezët po mbajnë zi, dhe trishtimi është edhe më i madh për të rinjtë e vrarë në ishull.
"Ky është incidenti më i tmerrshëm në Norvegji që nga lufta dhe njerëzit janë të tronditur. Këta viktima ishin 14-15 vjeç. Është e tmerrshme."Në raportin vjetor të publikuar në fillim të këtij viti, agjencia policore e sigurisë kishte vënë në dukje rritjen e aktiviteteve të krahut të djathtë ekstrem, por tha se rritja është e kufizuar nga mungesa e një udhëheqjeje të fortë. Ky është sulmi më vdekjeprurës në Europë që nga viti 2004 kur bombat në një tren të Madridit shkaktuan vdekjen e 191 vetave.
NOA/VOA