Tiranë, 24 Korrik 2011 NOA - Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Kryeministrit të Norvegjisë, zotit Jens Stoltenberg, për humbjen e jetëve të pafajshme, në sulmet terroriste të një dite më parë ndaj kampusit të të rinjve në ishullin Utoeya dhe godinave qeveritare, në Oslo.
Më poshtë vijon mesazhi i plotë i z.Berisha:
“I nderuar zoti Kryeministër,
Me keqardhje e hidhërim të thellë kam ndjekur zhvillimet e fundit të ngjarjes tragjike, me të cilën u përballën qeveria dhe kombi Juaj pas sulmeve barbare, terroriste ndaj godinave qeveritare në Oslo dhe ndaj kampusit të të rinjve laburistë në ishullin Utoeya të Norvegjisë, si pasojë e të cilave humbën jetën 91 qytetarë të pafajshëm, shumica në lule të rinisë, dhe u plagosën shumë të tjerë.
Qeveria shqiptare i konsideron këto sulme si akte të shëmtuara të barbarisë ndaj lirisë së kombit norvegjez e vlerave të mbarë qytetërimit tonë dhe i dënon ato me ashpërsinë më të madhe duke ruajtur besimin e palëkundur se autorët e organizatorët e këtyre sulmeve të shëmtuara do të marrin përgjigjen e merituar.
Dëshiroj, me këtë rast, t’ju shpreh juve, qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë dhe kombit norvegjez, mik të shqiptarëve, mbështetjen, simpatinë dhe solidaritetin më të lartë timin e të qeverisë shqiptare, si dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim në këto çaste dhimbjeje të thellë për familjet e viktimave, në radhë të parë, por edhe për Ju, si dhe për çdo qytetar të vendit tuaj. Shqiptarët u bashkohen lutjeve tuaja që shpirtat e viktimave të pafajshëm të gjejnë paqen e amëshuar.