Gjirokastër, 24 Korrik 2011 NOA – Edhe një tjetër zjarr ka shpërthyer sot në zonën e Dropullit të Poshtëm në Gjirokastër duke shkaktuar djegien e rreth 80 hektarë kullotë. Ngjarjen e sinjalizoi në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, një banor i fshatit Terihat të Komunës Dropulli i Poshtëm Gjirokastër.
Ai raportoi se mbi fshatin Terihat ishte shfaqur një vatër zjarri duke pohuar se rrezikoheshin banesat e fshatit Terihat.
Salla Operative ka njoftuar Repartin Zjarrfikës si dhe forcat e Policise së Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Në vendngjarje, forcat policore konstatuan se rreth 500 metra mbi fshatin Terihat ishte shfaqur një vatër zjarri dhe si pasojë e erës së fortë ka marrë disa drejtime.
Në vendngjarje ka mbërritur një automjet i repartit zjarrfikëse si dhe forcat e policisë të drejtuara nga Drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe Zv/drejtori i Policisë. Automjeti zjarrfikës nuk futej dot në vendin ku kishte rënë zjarri për arsye se mungonte rruga automobilistike dhe për këtë arsye punonjësit zjarrfikës të ndihmuar edhe nga forcat e policisë dhe banorët kanë bërë të mundur që përreth 5 orë të shuajnë me mjete rrethanore njërin drejtim të zjarrit që ishte afruar shumë afër banesave në lagjen e sipërme të fshatit.
Drejtimi tjetër i zjarrit ka përfshirë kullotën e fshatit në drejtim të faqes së malit. Drejtimi i zjarrit që kishte përfshirë kullotën mbi fshatin Terihat, ka vijuar gjatë gjithë natës dhe në orët e para të mëngjezit është shpërndarë përreth fshatrave, Sofratikë, Dhuvjan, Goricë dhe Frashtan, ku nga flakët e zjarrit janë rrezikuar seriozisht banesat e këtyre fshatrave. Me ndërhyrjen e tre automjeteve zjarrfikëse, të rreth 20 punonjësve të policisë, të banorëve të organizuar nga kryetari i Komunës, për rreth 8 orë është bërë e mundur që rreth orës 16.00 të ditës së djeshme, zjarri të shuhej përreth fshatrave duke vazhduar në malin e Muzinës në kullotë.
Nga zjarri i rënë nuk pati dëme në njerëz apo në banesa si dhe në pronën private të banorëve. Grupi hetimor kreu veprimet e para hetimore ku ka bërë shoqërimin në ambientet e policisë të tre shtetas, barinj të asaj zone për veprime të mëtejshme ku në përfundim të veprimeve të para hetimore rezultoi se një prej tyre, bari me bagëtitë e banorëve të njërit prej këtyre fshatrave nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr nga pakujdesia pasi kërkonte disa bagëti.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, 62 vjeçari S. K. u procedua penalisht dhe do të ndiqet në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë për veprën penale të “Shkatërrimit nga pakujdesia me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor”.
e.t/NOA