Tiranë, 24 korrik 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Riorganizimi i Partisë Socialiste ka futur në një fazë debatesh edhe forumet e saj që ndjehen të anashkaluar nga axhenda e drejtuesve të selisë rozë.
Drejtuesit e Forumit Rinor Eurosocialist (FRESSH) kanë kërkuar sot që riorganizimi i këtij forumi të bëhet në bazë meritokracisë dhe respektimit të parimeve demokratike. Në konferencën e zhvilluar paraditen e së shtunës, me krerët e rretheve të këtij forumi dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së, është diskutuar për ristrukturimin dhe funksionimin normal të strukturave.
Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë drejtuesja e FRESH, Erisa Spiropali dhe deputeti socialist, Erion Braçe.
Shqetësimi kryesor i shprehur nga të rinjtë socialistë ka pasur të bëjë katapultimet, apo emërimet e drejtuesve që nuk kanë eksperiencë në këtë forum.
Në takimin e zhvilluar në “Tirana Internacional” ka pasur debate edhe mbi krijimin e strukturave paralele.
Është kërkuar që në ristrukturimin e partisë, roli i FRESH, si pjesë thelbësore e PS-së të jenë në zbatim të statutit dhe të parimeve të demokracisë së brendshme.
Për të shmangur problemin e emërimeve nga lartë, në takim është kërkuar nga drejtuesit e forumit që të ketë zgjedhje brenda strukturave, duke funksionuar si organizatë me demokraci të brendshme dhe jo me urdhra dhe emërime. Parimisht, kërkesat e drejtuesve të FRESH janë mbështetur dhe nga deputeti socialist Erjon Braçe.
Debate ka pasur dhe për zbehjen e rolit të këtij forumi. Në takim të rinjtë kanë shprehur hapur rezerva mbi anashkalimin e parimeve demokratike në zgjedhjen e drejtuesve. Sipas tyre lidershipi i partisë kërkon që të vendosë sërish në krye të FRESSH njerëz “të besuar”, me anë të të cilëve mund të kontrollohet më mirë forumi.
Shqetësimet e shprehura nga të rinjtë do të përcillen në strukturat përkatëse të PS-së duke kërkuar zgjedhje normale dhe rikthimin e FRESSH në funksionimin normal që ka pasur më parë.
a.q/e.t/NOA