English

Gosa e Vil Bashtova e Kavajës, dimensione të Shqipërisë turistike

Sali Berisha

Së pari, nga zemra ju uroj gëzuar inaugurimin e një prej rrugëve më të bukura turistike të vendit, rrugë e cila me gjatësinë e saj 15 kilometra, një investim prej 970 milion lekë, pra, rreth 1 miliard lekë, shndërron Gosën në një nga zonat turistike më të bukura të vendit. Kjo komunë ka potenciale të mëdha turistike për t’u zbuluar e njohur. Rruga i jep mundësi krijimit të një poli të ri të fuqishëm turistik për Kavajën e mbarë Shqipërinë. Kjo rrugë kompleton infrastrukturën më moderne për bregun e detit të rrethit Kavajë. Rreth, i cili pret çdo vit rreth gjysmë milioni pushues nga Shqipëria e mbarë bota. Kavaja turistike është dimensioni i ri, i madh i Kavajës së lirë, i Kavajës së njerëzve punëtorë, i qytetarëve, grave e burrave që me djersë e mund ndërtojnë çdo ditë një jetë më të mirë për vetën e tyre.

Zona e Gosës, Vil Bashtovës është një nga zonat më bukura të Shqipërisë. Në shekuj, Vil Bashtova ka qenë një nga portet më të rëndësishme të vendit dhe sot, ajo do kthehet në një nga zonat turistike më bukura e të fuqishme. Vetëm dy ditë më parë, në Agjencinë për Investime dhe Zhvillim, ne miratuam një projekt që parashikon rreth 1 miliardë euro investime në këtë zonë, parashikon ndërtimin e komplekseve turistike ndër më të bukurit në Mesdhe. Rruga gjithashtu është një lehtësi e madhe për të gjithë fermerët e mrekullueshëm të Gosës e Kryevidhit, të cilët do të kenë mundësi të nxjerrin në treg prodhimet e tyre me koston më të vogël e kohën më të shkurtër. Këto ditë, kur do të inaugurohej kjo rrugë, një qytetare e Kavajës më dërgon një mesazh sms, ku më uronte për rrugën e më thoshte se dikur, i ati i punonte këtu dhe kthehej në Kavajë një herë në javë, për shkak të distancës së largët e pamundësisë së transportit, ndërsa tani arrin në Gosë për 20 minuta.

Për ju, për çdo shqiptar, një projekt është vendimtar dhe ky është projekti i Kavajës së zhvilluar, Gosës së zhvilluar, Shqipërisë së zhvilluar. Ky projekt kërkon ndihmesën, kontributin dhe angazhimin e gjithsecilit prej jush, në interesin më të mirë personal, në interesin më të mirë familjar. Ky projekt kërkon që ne, shqiptarët, me mençuri të krijojmë të ardhura duke shfrytëzuar të gjitha pasuritë e mëdha që disponojmë, kërkon që ne të shfrytëzojmë në mënyrën më të mençur e racionale potencialet e jashtëzakonshme turistike të brigjeve të këtij vendi.

Vil Bashtova dhe zonat më tutje janë të gjitha për t’u zhvilluar. Por, edhe sot, ato kanë tërhequr interesin, vëmendjen e kompanive turistike më të mira të Europës e botës, çka do të thotë se kanë një të ardhme turistike që edhe ne vetë sot nuk e imagjinojmë. Por kjo kërkon nga të gjithë ne të japim çdo ndihmesë, çdo kontribut për ta bërë Vil Bashtovën, Kavajën, Shqipërinë, çdo ditë e më shumë turistike. Ne jemi njerëzit më mikpritës në Europë. Mikpritja jonë buron nga virtytet e shpirti ynë i bardhë. Por, ne duhet të bëjmë çdo që ashtu siç mbajmë të pastër shtëpitë e oborret tona, të mbajmë të pastër çdo rrugë e rrugicë, çdo mjedis në mënyrë që çdo vizitor të ndjehet në mjedisin më të pastër e më të këndshëm dje të marrë kujtimin më të mirë nga vizita e tij e parë në Shqipëri.

Duke ardhur tek ju, unë pashë me kënaqësi të madhe dhjetëra e qindra parcela të mbjella, ullishte, vreshta e dru frutorë të tjerë, por ajo që më inkurajon shumë është se pashë një potencial të madh për t’i shumëfishuar këto parcela, për të mbjellë 10 dhe 20 herë më shumë, sesa jeni mbjellë gjer më sot. Është në dorën tonë, në vullnetin tonë që në çdo pëllëmbë të kësaj toke, në çdo shpat e çdo vend të mund të nxjerrim prodhime nga më të mirat, ullinj, vreshta, arrorë fruta, që do të kenë një treg në mbarë Europën.

Gjatë këtyre viteve, në rrethin e Kavajës janë mbjellë 345 hektarë. Unë ju bëj thirrje fermerëve të Kavajës, burrave e grave punëtorë të komunave të këtij rrethi të vendosin e të mbjellin edhe 3500 hektarë të tjerë dhe ju jap fjalën se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë që ju do të mbillni. Të mëkëmbur nuk na bën njeri, të mëkëmbur duhet të bëhemi vetë, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e mëdha që ne kemi. Sot, ne ndërtuam rrugën. Ju garantoj se sapo të përfundojmë infrastrukturën rrugore, infrastruktura e dytë e madhe do të jetë vaditja për tokat, pemëtoret, arat, drurët e çdo gjë tuajën. Ne do të bëjmë investimet më të mëdha në vaditje, që ju të mund të merrni prodhimet e rendimentet më të larta.

Rrugën nuk e kemi të lehtë, por e kemi qindra herë më të lehtë se ata, të cilët punonin në Vil Bashtovë e ktheheshin një herë në javë në Kavajë. Sot, ne për 20 minuta dalim në aksin kombëtar. Ndaj me besim të madh tek vetja, tek njëri-tjetri, tek Vil Bashtova, Kavaja e Shqipëria të vazhdojmë këtë përpjekje të madhe për të krijuar për vete e fëmijët tanë një mëkëmbje e pasuri shumë më të madhe, në mënyrë që Shqipëri shumë shpejt të renditet në grupin e vendeve të zhvilluara, në grupin e vendeve me të ardhura të larta, të harrohet një herë e përgjithmonë koha, kur vendi ishte streha e varfërisë së Europës e botës.

Zoti kryetar, duke të uruar për detyrën e re jam këtu për t’ju garantuar se qeveria do të financojë çdo projekt të këtyre qytetarëve që ju do të bëni për përmirësimin e jetës së tyre. Ne së bashku me ta do të punojmë çdo ditë në projektin ëndërr të çdo shqiptari, Shqipëria - vend i zhvilluar. Rrofshi ju! Rroftë Kavaja! Rroftë Shqipëria!”

*Fjala e Kryeministrit Berisha pas inaugurimit të rrugës Gosë-bregdeti Vil Bashtovë, me vlerë 970 milionë lekë

KOMENTE