English

Manifesti i Breivik: Trojet shqiptare të pushtuara nga xhihadistët

Oslo, 24 korrik 2011, NOA – Ekstremisti norvegjez që mori me gjakftohtësi të plotë jetën e të paktën 85 të rinjve në ishullin norvegjez të Utoyas pak muaj para aktit që shokoi Norvegjinë dhe botën mbarë kishte publikuar në internet manifestin e tij.

I publikuar nga e përditshmja italiane ‘Corriere de la sera” manifesti ku mbështetej teoria ekstremiste e Anders Behring Breivik, ka një titull tejet domethënës: Deklarata e Pavarësisë së Europës.

Në plot 1500 faqe, vrasësi ekstremist kishte paraparë të gjitha aksionet që pritej t’i vinte në jetë njëri pas tjetrit.

32-vjeçari Breivik ishte kundër prurjes së emigrantëve në Europë.

Ashtu si teoria shfarosëse e nazizmit ndaj hebrejve, manifesti i ekstremistit të djathtë norvegjez ka si lajtmotiv çlirimin e Europës nga kultura islamike dhe sistemi shoqëror multi-kultural marksist.

Në këtë manifest Breivik flet edhe për shqiptarët, të cilët i cilëson si njerëz të pamëshirshëm dhe të vendosur.

Sipas tij shqiptarët drejtojnë botën e nëndheshme në Europë.

Ekstremisti i rendit shqiptarët e në veçanti kosovarët, si pjesë të xhihadit islamik global, që ka si lajtmotiv islamizimin e popujve të Europës.

Trojet shqiptare, sipas Breivik, janë të pushtuara nga xhihadistët.

“Në planet e dëbimit të pastrimit të Europës nga islamikët, trojet shqiptare”, thotë ai, do të jenë një zonë e rëndësishme tranziti për një numër të madh të të larguarve”.

Madje shfrenimi i ekstremistit shkon deri aty sa kërcënon shkatërrimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, të cilën e cilëson instrument për islamizimin e Europës.

Ai kërkon krijimin e një aleance të re si ajo e ushtrive kryqëtare, ku të përfshihet edhe Rusia.

Manifesti me simbole të lashta të besimeve kelte, dhe me referenca mbi historinë e kalorësve templarë është firmosur nga Andrew Breivik, pikërisht në versionin anglo-sakson të emrit të tij.

mit/NOA

KOMENTE