English

Përvëlon me vaj të nxehtë bashkëshortin nga xhelozia

Gjermani, 24 korrik, NOA - Nehati dhe Lumnija ishin njohur nëpërmjet internetit. Nga Kosova, ajo shkoi në Gjermani dhe çifti nisi jetë së bashku. Por, Lumnija ishte tepër xheloze. Xhelozia iu shtua pasi ngeli shtatzënë. Dhe krejt frustrimin e shfryu mbi bashkëshortin. Në mënyrën më të keqe të mundshme.

Nehat I., 32-vjeçar, deri tash iu është nënshtruar 11 operacioneve, ndërkaq prej një vit i duhet të mbajë maskë në fytyrë, për shkak të djegies. Lumnija është autorja e djegies së Nehatit, e cila i dëmtoi 25 për qind e lëkurës në trup.

Ndërsa Nehati po flinte, ajo ia hodhi mbi trup dy litra vaj ushqimor të nxehtë.

“Kam kërcyer nga krevati i tmerruar. Shpejt jam parë në pasqyrë dhe lëkura filloi të më binte. Mishi i fytyrës po më shkëputej nga eshtrat. U tmerrova. Kam humbur vetëdijen dhe në vete kam ardhur pas pesë javësh në komë”, ka rrëfyer Nehati për gazetën gjermane “Bild”.

Ngjarja ka ndodhur në Dusseldorf. Aty ai edhe ishte bërë bashkë me Lumnije D., 37-vjeçare. “E doja, pavarësisht xhelozisë së saj patologjike, e cila iu shtua edhe më gjatë shtatzënësisë”, ka theksuar ai.

Lumnija ndodhet në burg, e dënuar për tentim vrasje. Atje edhe e ka lindur foshnjën e gjinisë femërore. Fëmija po rritet në një familje gjermane, pasi që Nehati nuk mund të kujdeset për të. Ai jeton nga ndihma sociale dhe nuk mund të punojë, sepse i është djegur edhe një pjesë e dorës. Thotë se tani për tani nuk mendon për të ardhmen. Lumnija i ka mjaftuar.

NOA/Bild/Ekspress

KOMENTE