English

Plani në Internet, Introvigne: Breivik kërcënon Papën dhe Italinë

Oslo, 24 korrik 2011, NOA – Autori i masakrës në ishullin norvegjez të Utoya-s në manifestin e tij terrorist kërcënon me sulme edhe Atin e Shenjtë Papa Ratsinger dhe Italinë.

Këto kërcënime autori i sulmeve vrastare në Oslo dhe masakrës në ishullin Utoya, Anders Behring Breivik i kishte shpërndarë në internet menjëherë pas masakrës së të premtes.

Këtë fakt e bën publik sociologu italian Massimo Introvigne, përfaqësues i OSBE-së në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit kundër të krishterëve.

Agjencia italiane ANSA raporton se Introvigne ka analizuar manifestin e gjatë 1500 faqësh të firmosur nga Andrew Bervik, dhe që me siguri i atribuohet vrasësit mostër Breivik.

Teksti u shpërnda në internet në 22 korrik, pra vetëm pak orë pas sulmeve terroriste që tronditën Norvegjinë.

Larg të qenit një fondamentalist kristian, sociologu Introvigne shkruan se “Breivik i pagëzuar në një kishë luteriane norvegjeze e cilëson veten si një i krishterë në kulturë, ndaj edhe apeli i tij drejtuar trashëgimisë kristiane është tërësisht anti-islamik.

Përfaqësuesi i OSBE-së thotë se për Breivik, kishat nuk po tregojnë një predispozitë për të luftuar islamin dhe për këtë ai propozon mbledhjen e një kongresi të madh evropian të të krishterëve, i cili të bëhet zanafilla e lindjes së një kishe të re europiane dhe anti-islamike.

Breivik kërcënon drejtpërdrejtë Papa Benediktin e 16-të duke thënë se “Papa ka braktisur krishtërimin dhe të krishterët europianë dhe duhet të konsiderohet nga të gjithë si një Papë frikacak, i paaftë, i korruptuar dhe i paligjshëm”.

Më tej thotë sociologu, ekstremisti anti-islamik, Anders Behring Breivik evokon thirrjen për nisjen e një lufte civile evropiane, që të ketë si lajtmotiv të sulmeve celulat klandestine si dhe partitë politike.

Mbi të gjitha ai vë në shënjestër laburistët norvegjezë, 85 të rinj përfaqësues të së cilës i masakroi me breshëri plumbash brenda vetëm një ore.

Por, Introvigne zbulon se mes shënjestrave të tij janë edhe katër parti italiane si PDL, PD, IDV dhe UDC, të cilat sipas tij nuk përkrahin luftën kundër Islamit.

Objektivë strategjikë të sulmeve të tij terroriste janë edhe 16 rafineri italiane të naftës nga zona e Trecate-s në Milazzo.

mit/NOA

KOMENTE