Kavajë, 24 korrik 2011 NOA – Mbrëmja e së shtunës ka sjellë një aktivitet të rrallë në një nga zonat më të bukura turistike të vendit tonë, në Kalanë Vilë-Bashtovë të komunës Gosë, Kavajë.
Artistët më të mirë të baletit dhe valleve, këngëtarë të njohur popullorë dhe artistë të teatrit kombëtar, shoqëruar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura kanë performuar në një koncert, i pari në llojin e tij, “Shqipëria e traditave artistike nga lashtësia në ditët tona”.
Kjo mbrëmje koncertale, një veprimtari krejt e veçantë muzikore e koreografike, u organizua nën kujdesin e Kryeministrit, me synimin për të inkurajuar zhvillimin e eventeve të tilla në monumente kulturore, atraktive për turizmin në vend. Koncerti shënoi ngjarjen e parë artistike në kalanë e Vil-Bashtovës, duke e lancuar atë si një destinacion për turizmin historik e kulturor.
Vizitorë, turistë të huaj dhe pushues vendas, për herë të parë në një mjedis atraktiv, nën muret veneciane të kalasë shekullore të Vilë-Bashtovës ishin admiruesit e veçantë në këtë vend buzë adriatikut, që është vlerësuar si një nga magjitë e natyrës turistike shqiptare.
a.q/NOA