Londër, 24 korrik 2011, NOA – Dukesha e Kembrixhit Kate Middleton dhe familja e saj figurojnë mes viktimave të skandalit të përgjimeve të tabloidit ‘News of the World’, të manjatit të medias Rupert Murdoch.
Lajmin e bëri publik e përditshmja britanike ‘Sunday Telegraph’, e cila shkruan se numri i të përgjuarve nga gazetarët e ‘News of the World’, brenda anëtarëve të familjes mbretërore dhe pjesëtarëve të stafit të ngushtë të saj është shumë më i madh se sa mendohej.
Hetimi mbi skandalin e përgjimeve Murdoch identifikoi fillimisht vetëm pesë anëtarë të familjes mbretërore britanike, të cilët kishin rënë pre e përgjimeve të gazetarëve.
Mes viktimave ishin princi William dhe princi Harry dhe tre sekretarët e tyre.
Por, tashmë sipas të përditshmes britanike qerthulli i skandalit zgjerohet duke futur në syrin e përgjimit edhe bashkëshorten e princit William, dukeshën e Kembrixhit Kate Middleton dhe familjarët e saj.
mit/NOA