Romë, 24 korrik 2011, NOA – Një zjarr i fuqishëm përfshiu në orët e mëngjesit sallën e pajisjeve elektrike të stacionit hekurudhor Tiburtina, në kryeqytetin italian Romë.
Vatra e zjarrit është përhapur pikërisht në këtë stacion hekurudhor, ku prej disa vitesh po punohet për ristrukturimin e tij dhe shndërrimin e Tiburtinës në një nyje kryesore për kryeqytetin, të trenave të shpejtësisë së lartë.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA bën me dije se flakët e zjarrit janë vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse, të cilët po punojnë intensivisht.
Zëvendës/shefi i policisë së zonës tha se ende nuk mund të përcaktohen shkaqet e rënies së zjarrit, pasi më parë nevojitet që zjarrfikësit të inspektojnë strukturën që u përfshi nga flakët, dhe tani për tani temperaturat e larta në aparaturat elektrike e bëjnë të pamundur ndërhyrjen.
Autoritetet e policisë e kanë klasifikuar ngjarjen si zjarr, ndërkohë që ata nuk përjashtojnë e as konfirmojnë ndonjë shpërthim të qëllimshëm që mund ta ketë shkaktuar.
Ndërkohë përgjegjësi i hekurudhave të Lazios, Marco Napoli saktëson për ANSA-n se janë marrë dëshmi nga personeli i hekurudhës, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e shpërthimit të zjarrit.
Sipas policisë hipoteza e një zjarri të qëllimshëm mund të lidhet me protestat kundër vendosjes së trenave të shpejtësisë së lartë në këtë hekurudhë.
Napoli shpjegon se autoritetet kanë rritur shërbimet si në stacionet e mëdha dhe në ata më të vegjël.
Sinjali i parë i rënies së zjarrit në stacionin e Tiburtinës mbërriti në orën 04.10 të mëngjesit të sotëm.
Pas nëntë minutash makinat zjarrfikëse ndodheshin aty.
Flakët e zjarrit sipas autoriteteve përfshinë kavo të rëndësishme elektrike që drejtojnë funksionimin e trenave.
Zjarrfikësit, po punojnë prej mëse tetë orësh për shuarjen e flakëve, të ndarë në dhjetë grupe.
Në ndihmë të tyre mbërritën edhe katër autobotë të mbrojtjes civile.
mit/NOA